AktualitetKosovaTë fundit

Presidenti zviceran: S’i heqim ushtarët nga KFOR, jemi ndërmjetës joformal në bisedimet Kosovë-Serbi

Presidenti i Zvicrës Guy Parmelin tha se vendi i tij nuk e ka në plan t’i largojë ushtarët e vetë nga Kosova dhe se numri i tyre, që aktualisht është 215, nuk do të zvogëlohet, të paktën edhe tri vjet.

“Qëndrimi i Zvicrës është se KFOR-i mbetet i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin. Aktualisht, 215 ushtarë zviceranë janë të dislokuar në misionin Swisscoy, që është kontributi ynë në këtë ndërmarrje të përbashkët ndërkombëtare. Mandati zgjat deri më 31 dhjetor 2026”, tha ai në një intervistë për gazetën Blic, transmeton kp. “Këshilli Federal i Zvicrës i ka paraqitur kërkesë parlamentit zviceran që Swisscoy të mbetet aktiv në Kosovë deri në vitin 2029. Parlamenti pritet të vendosë së shpejti”.

Parmelin foli edhe për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, për çfarë tha se të dyja vendet duhet të dialogojnë, ndërsa pranoi se vendi I tij, në njëfarë mënyrë, është ndërmjetës mes tyre, në një proces joformal negociimi.

“Qëndrimi afatgjatë i Zvicrës është se zgjidhja qëndron në dialog, normalizim dhe përparim praktik që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve në të dyja anët”, tha ai. “Për të mbështetur procesin e dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vendi im u ofron të dyja palëve një proces të përbashkët joformal ndërmjetësimi. Duke krijuar mundësi të tilla për dialog, Zvicra mund të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve. Stabiliteti i këtij rajoni dhe integrimet evropiane janë prioritet i politikës sonë të jashtme”.

Sa i përket situatës më të gjerë në rajon, Parmelin vlerësoi progresin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë dy dekadave të fundit, por theksoi se stabiliteti mbetet një proces i vazhdueshëm që kërkon vullnet të ndërsjellë. Ai bëri thirrje për më shumë kujdes dhe qasje racionale nga të gjithë, në siç tha, “një kohë sfidash për rendin ndërkombëtar dhe krizash gjeopolitike”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com