AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Dibër, takime me fermerë dhe inspektim projektesh zhvillimi në zonë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në qarkun e Dibrës, ku u ndal në një takim me fermerë dhe përfaqësues të agrobiznesit, si dhe inspektoi disa projekte të rëndësishme zhvillimi në zonë.

Rama ndau në rrjete sociale momente të veçanta nga kjo vizitë, teksa shkroi duke i cilësuar këto takime “Energji Dibre”.

Në pedonalen e qytetit, Rama u shfaq duke ecur përdore me disa fëmijë, në një atmosferë të afërt me qytetarët dhe komunitetin lokal. Gjatë vizitës, ai zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë dhe agrobiznesmenë dibranë, të cilët ndanë përvojat dhe projektet e tyre dhe vlerësuan investimet në infrastrukturë.

Fermerët vlerësuan veçanërisht ndërtimin e Rrugës së Arbrit, të cilën e cilësuan një ëndërr që sot është bërë realitet falë qeverisë Rama, si një projekt që ka ndikuar ndjeshëm në lehtësimin e lidhjes me kryeqytetin dhe në zhvillimin ekonomik të zonës.

Sipas tyre, koha e udhëtimit drejt Tiranës është shkurtuar ndjeshëm, duke lehtësuar edhe transportin e produkteve bujqësore.

“Më parë hasnim vështirësi në nxjerrjen e prodhimeve në treg për shkak të rrugëve të amortizuara”, u shpreh një nga fermerët gjatë takimit.

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama ndaloi edhe në njësinë agroturistike “Temla Retreat”, në Bulqizë, një strukturë e re mikpritjeje, e cila do t’i shtohet zonës si një tjetër dëshmi e zhvillimit të turizmit gjithëvjetor në këtë territor.

Ndërsa në Dibër, vizitoi konviktin e ri të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti”, një godinë sipas standardeve të BE, ku do të banojnë 120 nxënës të cilët studiojnë në profile të ndryshme si Ekonomi-Biznes, Teknologji Informacioni, Hoteleri-Turizëm, Gjeologji-Miniera, dhe punojnë si praktikantë falë partneriteteve me 36 biznese.

Gjithashtu, kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, mori pjesë në takimin me Asamblenë e PS të Dibrës. Në takim, Rama ndau në fjalën e tij momentin e rëndësishëm të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Europian dhe sfidave që i del PS dhe strukturave të saj për përmbylljen me sukses të përmbushjes së detyrimeve që vendi ka përpara.

 

Fraksiin.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com