Celibashi: Procesi i votimit nga jashtë i suksesshëm, taskforca me SPAK ndikim pozitiv
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin zgjedhje me standarde që i bën një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky ishte vlerësimi i komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashit për zhvillimin e zgjedhjeve, pavarësisht kritikave të opozitës.
“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE. Raporti i tyre përfundimtar nuk ka dalë dhe do të pranoj çfarë note do të vendosin ata për këto zgjedhje. Përtej kësaj, mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse qartësisht opozita ka thënë se nuk i njeh dhe ky është një problem dhe të bën të mendosh se këto zgjedhje nuk kanë shkuar aq mirë se nuk ka mundësi që opozita të shkojë deri në një qëndrim të tillë, por përtej çdo problematike, mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE”, u shpreh Celibashi.
Në një konferencë me gazetarët Celibashi gjithashtu cilësoi procesin e votimit nga jashtë si një sukses të padiskutueshëm në këto zgjedhje.
“Procesi i votimit nga jashtë një nga aspektet më pozitive të 11 majit. Votimi nga jashtë ishte një sukses i padiskutueshëm për këto zgjedhje dhe për KQZ-në. Jam i bindur dhe kjo bindje nuk vjen apriori se ky proces ishte me integritet të plotë, mendoj se është respektuar fshehtësia e votës, integriteti i votës ishte i garantuar. Shembull që kemi nga votues nga jashtë e konfirmojnë këtë që unë them. Ka qenë një proces historik dhe i realizuar ashtu siç do duhej të realizohej. Problemet e karakterit teknik që opozita sjell në vëmendje, kanë nevojë të adresohen me qëllim për t’u përmirësuar në të ardhmen”, tha Celibashi.
I pyetur në lidhje me punën e taskforcës së përbashkët ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndjekjen e krimeve zgjedhore, Celibashi tha se taskforca ka pasur një “impakt pozitiv”.
“Ky proces zgjedhor dhe standardet ishin produkti. Mendoj se përtej kriticizmit dhe sarkazmës së ndonjë përfaqësuesi politik që ka përdorur për këtë bashkëpunim, jam i bindur se ka qenë bashkëpunim i suksesshëm. Partitë politike kanë vlerësimet dhe interesat e tyre në notat dhe vlerësimet për KQZ, SPAK, organin e Prokurorisë së Përgjithshme. Mendoj se ndikimi ka qenë pozitiv. I bindur se ka ndikuar pozitivisht përtej komenteve që dikush tjetër ka për këtë bashkëpunim apo për rolin e këtyre aktorëve të përfshirë në këtë proces. Por ka nevojë për ta ridimensiponuar dhe vendosur mbi baza rregullatore më të qarta këtë bashkëpunim”, tha Celibashi.
Fraksion.com

