AktualitetPolitikëTë fundit

“Zbulo Shqipërinë përtej pritshmërive”, Rama videomesazh surprizë për Panairin e Turizmit në Berlin

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin të Gjermanisë, për të marrë pjesë në çeljen e Panairit të Turizmit, më i madhi në botë, ku Shqipëria është zgjedhur si Vendi i Nderit për vitin 2025.

Kryeministri ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të prezantuar turizmin dhe bukuritë e Shqipërisë, përmes një videoje ku Rama flet në disa gjuhë të ndryshme të botës, për të përcjellë atraksionet turistike të vendit tonë, nga detet me ujërat e kaltra, malet e larta dhe gastronominë.

Rama ka ndarë në rrjetet sociale videopërshëndetjen surprizë për Panairin e Turizmit në Berlin, ku Kryeministri shihet duke folur në disa “gjuhë që nuk i di fare”, ndërsa thotë se “duket sikur i di në mënyrë perfekte këto gjuhë, por është pak magji e Inteligjencës Artificiale”.

Në këtë panair do të jenë 190 vende pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozues, ndërsa Shqipëria turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, traditat në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe oferta e turizmit të aventurës, përmes eksplorimit të shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com