“Një udhëkryq në histori”, Evropa kërkon të marrë kontrollin e negociatave të Ukrainës në samitin kryesor të Londrës
Perëndimi është në një “udhëkryq në histori”, u tha kryeministri britanik Keir Starmer udhëheqësve evropianë në një samit të rëndësishëm në Londër më 2 mars 2025, ndërsa kontinenti duket se kërkon të luftojë për të marrë kontrollin e negociatave mbi luftën Rusi-Ukrainë larg SHBA-së dhe të paraqesë një front të bashkuar pas tensioneve në marrëdhëniet midis Kievit dhe Uashingtonit. “Ky nuk është një moment për të folur më shumë. Është koha për të vepruar”, tha Starmer pas një dite monumentale të diplomacisë në Londër, ku liderët në kontinent u përpoqën për të krijuar një rrugë drejt armëpushimit në Ukrainë.
Urgjenca e samitit të Londrës u rrit pasi Presidenti i SHBA Donald Trump ‘ndëshkoi’ Zelensky në Zyrën Ovale, “duke tmerruar Perëndimin” dhe “duke kënaqur Moskën në këtë proces”.
Të pranishëm në samit ishin edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Në samit nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i SHBA-së, megjithëse Starmer deklaroi përpara samitit se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Ukraina, “dhe ndoshta një ose dy të tjerë”, do të punonin për një plan paqeje që do ta diskutonin me Uashingtonin.
Starmer u tha gazetarëve para samitit se po punonte me Francën dhe një numër të vogël vendesh të tjera për të hartuar një plan për të ndaluar luftimet, i cili më pas do t’i paraqitej SHBA-së.
Kurse Presidenti francez Emmanuel Macron nga ana e tij përshkroi konturet e një plani të tillë në një intervistë me Le Figaro, duke thënë se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë propozuar një armëpushim të kufizuar njëmujor në Ukrainë. Faza fillestare e marrëveshjes alternative të paqes franko-britanike për Ukrainën do të përfshinte “armëpushim në ajër, në dete dhe në infrastrukturat energjetike”, sipas Macron dhe faza e dytë, do të përfshijë trupa në terren.
Macron tha se avantazhi i armëpushimit të propozuar franko-britanik është se është i lehtë për t’u monitoruar. “Ne e dimë se si ta masim atë,” tha ai, duke shtuar se “në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se fronti respektohet.”
Zelensky tha se ai ishte “i vetëdijshëm për gjithçka” kur u pyet nëse ai dinte për propozimin. Ai nuk tha nëse ishte dakord me armëpushimin e propozuar. Zelensky duartrokiti samitin më 2 mars në X, duke shkruar se “Uniteti i Evropës është në një nivel jashtëzakonisht të lartë, një nivel që nuk është parë për një kohë të gjatë”. Në një deklaratë të veçantë, Zelensky tha se marrëveshja e mundshme e paqes duhet të fillojë me shkëmbimin e të burgosurve, “dhe kthimin e fëmijëve”. Kjo, tha ai, “do të demonstronte synimin e vërtetë të Rusisë për paqe”.
Marrëveshja e armëpushimit në Ukrainë, vetëm një ide, asgjë nuk është rënë dakord
Ideja e një armëpushimi të pjesshëm njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës është një ide e paraqitur nga francezët, por detajet janë të pakta për mediat. Propozimi u njoftua nga Presidenti Macron në një intervistë me Le Figaro rrugës teksa kthehej në vendin e tij pas samitit të 2 marsit. Sipas hipotezës, Rusia dhe Ukraina do të bien dakord për një armëpushim për katër javë në ajër, në det dhe rreth infrastrukturës energjetike. Por nuk do të mbulonte luftimet tokësore përgjatë vijës së frontit në lindje. “Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se (një armëpushim) përgjatë frontit po respektohej”, tha Macron për gazetën.
Por, një ditë pas samitit zyrtarë të Britanisë së Madhe mohuan pretendimin e Francës se ishte arritur ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë. Zyrtarët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar e kanë bërë të qartë se kjo ide franceze nuk është një propozim i rënë dakord. Në mëngjesin e 3 marsit, ministri i Forcave të Armatosura të MB, Luke Pollard, hodhi poshtë idenë e një armëpushimi, duke thënë për BBC se “Një numër opsionesh po diskutohen në këtë moment. Asnjë prej tyre nuk është rënë dakord në këtë fazë.”. Ndërkohë që natyrisht, çdo armëpushim do të duhej të miratohej nga rusët dhe nuk ka ende prova se ata janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar ndërsa tha se “asnjë marrëveshje” nuk është bërë midis francezëve dhe britanikëve për propozim armëpushimi njëmujor të Ukrainës, siç po raportohet.
I pyetur për planin, për të cilin Macron i tha gazetës franceze më 2 mars, ministri britanik Luke Pollard tha se “ky nuk është një plan që ne e njohim aktualisht”, por ai shtoi se “një sërë opsionesh të ndryshme” po diskutohen “privatisht”.
Pollard thotë se ajo që ka rëndësi është ndërtimi i një plani që sjell paqe të qëndrueshme “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai gjithashtu i tha medias se SHBA është “një aleat kyç” dhe “do të ketë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar”, duke përmendur “marrëdhëniet e thella të mbrojtjes” midis dy vendeve.
Përshkallëzimi i takimit Trump – Zelensky dhe mbështetja europiane pë Ukrainën
Në politikën ndërkombëtare, java e kaluar u mbyll me një samit për Ukrainën në Londër, që nxori në pah dallimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleateve të saj evropiane për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për figurën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Një takim në Zyrën Ovale mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump, më 28 shkurt shtoi rëndësinë e bisedimeve të 2 marsit, të organizuara nga kryeministri britanik, Keir Starmer. Takimi përfshiu dhjetëra liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas. I cili nëse kishte dyshime më parë, tashmë do të jetë më e qartë se kurrë se vendi i tij gëzon një mbështetje të madhe morale në kontinentin evropian.
Si Starmer ashtu edhe presidenti francez Macron, gjatë vizitave të tyre përkatëse në Shtëpinë e Bardhë më 27 dhe 24 shkurt, i kërkuan Trumpit të mos e braktiste Ukrainën dhe të mbante një qëndrim të fortë ndaj Rusisë, ndërsa vlerësuan planet e presidentit amerikan për një paqe të shpejtë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare. Vizita e Macronit përkoi me përvjetorin e tretë të pushtimit, kur Shtetet e Bashkuara tronditën opinionin botëror duke iu bashkuar Rusisë në votën kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte agresionin e Moskës kundër Ukrainës. Dhe pasi vizita e vetë Zelenskyt në Uashington më 28 shkurt u ndërpre para kohe pas përplasjes me Trumpin dhe nënpresidentin amerikan, JD Vance, ai mori shumë mesazhe solidariteti nga Evropa.
Ndërsa përmendim takimin Trump-Zelensky të javës së kaluar në Uashington, dhe vorbullën e polemikave le të kujtojmë se si u përshkallëzua ajo.
Vizita supozohej të kishte të bënte me dhënien fund të luftës në Ukrainë, me nënshkrimin e një marrëveshjeje për mineralet e SHBA-së gjithashtu. Por ajo që ndodhi në vend të kësaj, ishte një përplasje shumë publike në Zyrën Ovale që pa Zelensky-n të largohej herët nga Shtëpia e Bardhë, pasi vizita e përzemërt mori një kthesë të shpejtë.
Zelensky sfidoi JD Vance , i cili ishte gjithashtu në takim në Zyrën Ovale, me pohimin e tij se “rruga drejt paqes” ishte përmes diplomacisë. Zëvendëspresidenti më pas u përgjigj duke akuzuar presidentin ukrainas se ishte “mosrespektues” dhe tha “ju duhet të falënderoni presidentin”.
Trump i tha Zelenskyt në një moment se ai “po luante bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”. Presidenti amerikan i tha më pas Zelenskit se ai nuk duhet t’u tregonte amerikanëve se si të ndiheshin, pasi ai “nuk ishte në gjendje ta diktonte këtë”. Kjo erdhi pasi Zelensky tha se ndërsa SHBA-ja aktualisht mbrohej nga Rusia nga një oqean, ata do ta ndjenin atë “në të ardhmen”.
Pas kësaj debati vazhdoi të nxehej më shumë ndërsa Vance e pyeti Zelenskyn, “A keni thënë faleminderit një herë?” dhe më pas erdhi fjala e presidentit Trump që tha, “Ju ose do të bëni një marrëveshje ose ne jemi jashtë”.
Skenat ishin makthi më i keq i Evropës, “askush nuk dëshiron ta shohë këtë,” tha kryeministroi britanik Starmer për mediat pas ngjarjes.
Britania njoftoi më 1 mars një marrëveshje për të përshpejtuar 2.8 miliardë dollarë kredi për Ukrainën. Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, kësti i parë i financimit pritet të disbursohet javën e ardhshme. Në një postim në Telegram, Zelensky tha se “paratë do të shkojnë për prodhimin e armëve në Ukrainë. Kjo është rruga e drejtë: ai që filloi luftën duhet të paguajë.” Ai shtoi se “huaja do të forcojë aftësitë tona mbrojtëse”.
Më pas, më 2 mars, Starmer njoftoi një marrëveshje të re që i lejon Ukrainës të përdorë 1.6 miliardë £ (2 miliardë dollarë) të financimit të eksportit në Mbretërinë e Bashkuar për të blerë më shumë se 5,000 raketa të avancuara të mbrojtjes ajrore, të cilat do të prodhoheshin në Belfast. Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha se “bota e lirë ka nevojë për një lider të ri”, në një kritikë të nënkuptuar ndaj Trumpit, ndërsa Von der Leyen i tha Zelenskyt se “Dinjteti juaj nderon guximin e popullit ukrainas”, në një postim në X.
Nërkohë që nga Evropa do të ketë ndihmë materiale, një hua prej 2.26 miliardë paundësh për Ukrainën, por, a mund të jetë ndihma evropiane e mjaftueshme për të kompensuar një mungesë të mundshme financimi nga Shtetet e Bashkuara, kontribuesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, tani që marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë në pikën më të keqe të dekadës së fundit?
Kjo është pyetja që shqetëson vendimmarrësit në Evropë, pas përplasjes së ashpër mes Zelenskyt dhe Trump.
Kurse më 2 mars, në përgjigje të kritikave se është afruar shumë me presidentin rus, Vladimir Putin, Trump postoi në rrjetin e tij social se amerikanët duhet të “kalojnë më pak kohë duke u shqetësuar për Putinin” dhe të fokusohen më shumë te “bandat e përdhunuesve emigrantë, bosët e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet e shëndetit mendor që hyjnë në vendin tonë, në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa!”
Nga ana e tij, Zelensky e karakterizoi Putinin si “një vrasës”, të cilit nuk mund t’i besohet për ta respektuar një marrëveshje armëpushimi pa garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të cilat Uashingtoni ende nuk i ka dhënë. Presidenti ukrainas ka deklaruar se ende beson se marrëdhënia dypalëshe mund të shpëtohet, pavarësisht se përplasja duket se ka prishur për momentin një marrëveshje mes Kievit dhe Uashingtonit për mineralet e rëndësishme të Ukrainës dhe rindërtimin pas luftës.
Disa nga vendimmarrësit kryesorë në anën evropiane të Atlantikut kanë thënë se kjo duhet të ndodhë shpejt. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, tha se i kishte sugjeruar Zelenskyt që të riparonte marrëdhënien me Trumpin. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila gëzon marrëdhënie të mira me Trumpin, tha se shpresonte që vendi i saj të ishte “një urë” për të rregulluar marrëdhëniet Kiev-Uashington para samitit të Londrës, duke shtuar se ishte “shumë-shumë e rëndësishme” të shmangej një përçarje në koalicionin perëndimor.
Zelensky duket se po afrohet kësaj këshille, duke postuar një video ku thotë mes të tjerash se “Sigurisht, ne e kuptojmë rëndësinë e Amerikës dhe jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara”, shprehet Zelensky. “Nuk ka kaluar asnjë ditë pa ndier mirënjohje. Sepse kjo është një mirënjohje për ruajtjen e pavarësisë sonë: Qëndrueshmëria jonë në Ukrainë bazohet në atë që bëjnë partnerët tanë për ne dhe për sigurinë e tyre”, shton ai. “Do të ketë diplomaci për paqen. Dhe do të ndodhë për hir të të gjithë neve që qëndrojmë bashkë, Ukraina, e gjithë Evropa dhe mbi të gjitha Amerika”, thotë Zelensky në video.
Fraksion.com

