“Shpikët opinionin që s’ekziston”, Peleshi – Bardhit: Kërkesa për “Venecia-n” kishte lidhje me Kuvendin
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka folur për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me pajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Bardhi tha se mazhoranca u zotua se sapo të vinte opinioni i Venecias do ta zbatonin, por sipas tij, ata bënë të kundërtën.
Ai tha se shpikën një opinion që nuk ekziston duke u thënë shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.
“Ju jeni e vetmja mazhorancë që në 34 vite dy vendimet e GJK i keni hedhur në kosh. Çfarë shembulli u jepni ju qytetarëve që kanë një konflikt gjyqësor dhe e zgjidhni me vendim gjykate. U thoni po ju pëlqeu një vendim gjykate zbatojeni, po nuk ju pëlqeu, shpallni Republikën Xhaçka dhe mos e zbatoni vendimin e gjykatës. Ky është shembulli që ju transmetoni. Për turpin tuaj, u zotua publikisht se sa të vinte opinioni i Komisionit të Venecias do ta zbatonte. Por çfarë bëri, shpiku një opinion që nuk ekziston. U tha shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. Nxorën lajme të rreme pa asnjë dokument dhe pa asnjë bazë dhe më pas e shpërndanë si një fake news në të gjitha mediat”, tha Bardhi.
Ndër të tjera ai kërkoi që çështja e Olta Xhaçkës të futet në rend dite dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të vendoset nëse është apo jo në kushte të papajtueshmërisë.
“Komisioni i Venecias u ka thënë atë që ju kemi thënë ne në këtë sallë, atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrini pavarësinë tuaj apo lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për vendimet e GJK. Nuk mund të konsiderohet si imponim i një mënyre votimi, por përmbushje përgjegjësie. Prandaj, fusni menjëherë në rend dite. Dorëzojani drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë GjK nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Çdo sjellje e kundërt ndaj saj është minim i shtetit të së drejtës”, tha Bardhi.
Pjesë nga diskutimi në seancë:
Peleshi: Kemi kthyer në avantazh që mund të thoni fjalën e fundit për këdo që ju del përpara. Jemi dy sisteme vlerash të ndryshme. Lajmi i keq për ju dhe i mirë për ne është se shqiptarët e kuptojnë.
Bardhi: Ne jemi shumë të ndryshëm në sallë dhe na mirëkupto shoku Niko. Fole këtu për reformën në drejtësi. Po ju kujtoj që jeni e vetmja mazhorancë në 34 vite që dy vendime të Kushtetueses i keni hedhur në kosh. Na bëtë moral për etikën e komunikimit. Ju i thoni qytetarëve ‘po ju pëlqeu vendimi i gjykatës, zbatojeni! Nëse nuk ju pëlqen shpallni republikën Xhaçka dhe mos e vazhdoni vendimin e gjykatës.” Ky është shembulli që ju i transmetoni qytetarëve. Për turpin tuaj, për turpin personal të kryeparalamentares… u zotua publikisht se sapo të vinte opinioni i komisionit të Venecias do ta zbatonte këtë opinion. Çfarë bëri? Shpiku një opinion që nuk ekziston.
Peleshi: Dua të them vetëm dy fjalë lidhur me çka u tha për rekomandimin e komisionit të Venecias. Kërkesa nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar, kishte lidhje me Kuvendin. Ne nuk e ngremë si flamur triumfues atë mendim. Ai ishte mendim pozitiv edhe për ju.
Bushka: Më duhet të sqaroj, komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. Nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet. Unë besoj se Venecia ka dhënë një ekuilibër të ndërsjellët mes respektimit të vendimeve të Kushtetueses dhe të drejtës së deputetit. Nuk është çështje politike. Autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vetë.
Fraksion.com

