AktualitetPolitikëTë fundit

Hapet xhamia e Namazgjasë, Rama: Tempull i shumëpritur, trashëgimi e një populli të tërë

Xhamia e Namazgjasë në Tiranë u përurua sot, në një ceremoni të veçantë ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kryeministri Edi Rama vlerësoi se çelja e kësaj xhamie ishte e shumëpritur nga komuniteti mysliman.

“Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga komuniteti mysliman në rrjedhën e viteve për aq shumë arsye. Kjo faltore që frymo nga një besim universal, Xhamia e Madhe e Namazgjasë, është tanimë trashëgimia e një popullit të tërë, e cila mishëron atë që Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të,
ka thënë për veten: ‘Unë jam lutja e Ibrahimit, sihariqi i saj dhe ëndrra e nënës time’”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri vlerësoi se kjo xhami i jep domethënien e plotë dhe kuptimplotë katrorit të katër faltoreve të kryeqytetit.

Rama tha se “si çdo faltore tjetër e këtij vendi ku gjen paqe çdo shqiptar që i falet Zotit në besimin e vetë, kjo Xhami e Madhe e Namazgjasë është tani një vend i shenjtë”.

“E këtij vendi nuk mund t’i këndohet sot më mirë se sa në shqipen e Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliut: I dashuri im kujtoje edhe atë kohë kur ne me madhërinë tonë e bëmë Qabenë vend shpërblimi dhe kthimi për njerëzit, e bëmë edhe vend të sigurt. Epo qoftë me jetë dhe gjithëjetë kjo foltore një shëmbëlltyrë e vizionit të Qabesë, një shtëpi e shpërblimit dhe e kthimit, vend i sigurt për të gjithë fëmijët e Ibrahimit”, tha Rama.

Dhjetra besimtarë ishin mbledhur para xhamisë, në pritje të kësaj ngjarjeje të shënuar për komunitetin mysliman shqiptar.

Xhamia e Namazgjasë konsiderohet më e madhja në Ballkan dhe është realizuar si një dhuratë e popullit turk për besimtarët myslimanë në Shqipëri.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com