AktualitetSport

Shkodër: Plagoset studenti i Akademisë së Policisë dhe kunati. Pasi derdhën breshëritë e kallashit, autorët dogjën makinat dhe u arratisën

Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e kësaj të marte në fshatin Grudë e Re në Shkodër, fatmirësisht pa viktima. Policia e Shkodrës sqaroi se ngjarja që u regjistrua rreth orës 19:30 dhe se shënjestër ishte shtetasi, Gjon Nika, 30-vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Nga të shtënat, u plagos po me dy plumba edhe shtetasi, Gjergj Ndershtiqaj 28 vjeç, kunati i Nikës. Ky i fundit ndjek studimet në Akademinë e Sigurisë për të marrë gradën e oficerit, ndërsa më herët ka qenë polic në zonë.

Pas ngjarjes, dy automjete u gjetën të djegur, njëra e autorëve dhe tjetra e të plagosurve, e cila ka shpërthyer në flakë pas breshërisë së plumbave. Paraprakisht dyshohet se në ngjarje janë përdorur tri armë zjarri të llojit kallashnikov, duke shkarkuar në vendin e ngjarjes rreth 30 plumba.

Pas të shtënave, dy të plagosurit kanë dalë nga makina ku ndodheshin dhe janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes dhe kjo dyshohet se u ka mundësuar atyre të mbijetojnë, duke u ikur kështu autorëve. Ndërkaq, Ndërshtiqaj është vëllai i drejtorit të Drejtorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Në automjet kanë qenë tre persona, dy prej të cilëve janë plagosur. Ndërkohë mendohet se janë dy autorë që kanë qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov një sasi të konsiderueshme plumbash dhe janë larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur afër një lokali, i cili ka kamera sigurie dhe policia po bën këqyrjen e tyre për identifikimin e autorëve. Autorët kanë djegur automjetin në një vend tjetër, jo shumë larg nga ngjarja.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gj. N., rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. N., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.

Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.

Fraksion.com