Pezullohet trupa e inspektorëve të kolaudimit në Fier
/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor pezulloi trupën e inspektorëve të kolaudimit në Fier.
Sipas DPSHTRR-së, në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Fier u pezulluan 6 persona nga detyra ndërsa është masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për një tjetër person.
Këto masa, bën të ditur DPSHTRR u morën pas indicieve, pamjeve filmike dhe verifikimit paraprak.
Ndërkohë DPSHTRR informoi se një hetim administrativ i brendshëm vijon për konkluzionet përfundimtare, ndërsa shërbimi do të vijojë me zëvendësim.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të mos bëhen palë në shkeljen e ligjit, të mos tentojnë korruptimin, rryshfetin sepse do të kallëzohen njëkohësisht me personelin që abuzon me detyrën. Përgjegjësia sa vjen e rritet për të eliminuar dhe goditur fenomenet negative si edhe për të larguar nga institucioni ynë, përmes kontrolleve e sistemeve digjitale dhe shkëmbimit të informacionit me të gjitha organet ligjzbatuese, të gjithë elementet që nuk e meritojnë të jenë punonjës të shërbimeve të transportit rrugor”, bën të ditur DPSHTRR.
Fraksion.com

