500 kg kanabis ndarë në 34 pako, nga Vlora droga do të trafikohej drejt Turqisë
Një operacioni anti-drogë në Vlorë ka çuar në kapjen e 500 kg droge, e cila ishte e paketuar dhe grupi kriminal po bëhej gati për ta trafikuar. Në operacion kanë marrë pjesë edhe forcat RENEA, të cilat e kanë kapur drogën teksa po transportohej drejt vijës ujore me tentativë më pas për ta trafikuar përmes detit në Turqi, ndërsa 7 persona janë arrestuar.
“Disa shtetas, të organizuar si grup, kryenin veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, dhe po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar, një sasi të madhe lënde narkotike kanabis, me qëllim trafikimin drejt Turqisë”, tha drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Ermal Muçaj.
Droga ishte e ndarë në 34 pako me peshë të ndryshme dhe ishte e stampuar me shkronja si, K, F, A. Ndërhyrja nga forcat RENEA dhe Policia e Vlorës është bërë gjatë natës (11-12 dhjetor) në fshatin Trevllazër, ndërsa siç shihet edhe nga pamjet e operacionit droga është kapur teksa transportohej me furgon drejt detit, në tentativë për t’u nisur më pas në Turqi.
Në pranga kanë rënë Idriz Meminaj, 31 vjeç, Romir Meminaj, 49 vjeç, Emanuel Meminaj, 22 vjeç, Nertil Gjoni, 39 vjeç, Xhuiliano Gjoni, 30 vjeç, Laurent Lika, 37 vjeç, Altin Meçi, 50 vjeç. Në kërkim janë dhe disa persona të tjerë banues në Vlorë e Tiranë. Furgoni i mbushur plot me drogë drejtohej nga Nertin Gjoni, ndërsa ishte në pronësi Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj.
“Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare. Këta shtetas kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në magazinën e 2 vëllezërve Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj, dhe më pas, me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë”, tha drejtori i Policisë Vlorë, Muçaj.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e magazinës, në fshatin Trevllazër, ku janë kapur në flagrancë Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj. Gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri, 4 automjete dhe 8 celularë.
Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni ka rezultuar se këta shtetas vepronin të organizuar në formën e një grupi, për të prodhuar, ambalazhuar dhe trafikuar lëndë narkotike kanabis, jashtë vendit.
Emrat e të arrestuarve
Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër
Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;
Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.
Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;
Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.
Fraksion.com

