“Retorika bërthamore e Rusisë ‘e rrezikshme dhe e papërgjegjshme'”: NATO po monitoron nga afër situatën
Nga Mimoza Golikja
Njoftimi i fundit i Rusisë se do të zhvendosë armët taktike bërthamore në Bjellorusi është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. “NATO është vigjilente dhe ne po e monitorojmë nga afër situatën. Ne nuk kemi vënë re ndonjë ndryshim të veprimtarisë bërthamore të Rusisë që mund të çonte në ndryshimin e qëndrimit tonë”, tha në një deklaratë zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu. “Referenca e Rusisë ndaj ndarjes bërthamore të NATO-s është krejtësisht mashtruese”, tha më tej Lungescu, duke iu referuar pretendimeve të fundit Putinit se lëvizja e tij thjesht do të pasqyronte ato të vendeve perëndimore. “Aleatët e NATO-s veprojnë me respekt të plotë të angazhimeve të tyre ndërkombëtare. Rusia ka thyer vazhdimisht angazhimet e saj për kontrollin e armëve, më së fundi duke pezulluar pjesëmarrjen e saj në Traktatin e NEW START”, tha ajo. “Rusia duhet t’i kthehet pajtueshmërisë dhe të veprojë me mirëbesim”, theksoi Lungescu.
Edhe Shefi i politikës së Jshtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dënoi gjithashtu njoftimin e Putinit. Ai i bëri thirrje Bjellorusisë që të mos bëhej strehë e armëve bërthamore ruse. “Bjellorusia që pret armë bërthamore ruse do të nënkuptonte një përshkallëzim të papërgjegjshëm dhe kërcënim për sigurinë evropiane. Bjellorusia ende mund ta ndalojë, është zgjedhja e tyre”, tha Josep Borrell dhe kërcënoi me sanksione të mëtejshme, “BE është e gatshme të përgjigjet me sanksione të mëtejshme.”, tha ai.
Por edhe zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha se SHBA po monitoron implikimet e deklaratës së Putinit, por shtoi se “Ne nuk kemi parë ndonjë arsye për të rregulluar qëndrimin tonë strategjik bërthamor, as ndonjë indikacion që Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës së NATO-s.”.
Lëvizja e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi i afron ato jo vetëm me Ukrainën, por me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, që janë të gjithë aleatë të NATO-s dhe kjo rrit nivelin e kërcënimit në Evropë, diçka që Putini synonte të bënte. Njoftimet për testet e raketave dhe ngjarje të tjera që përfshijnë armë bërthamore kanë qenë një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së stabilitetit strategjik për dekada. Ato sigurojnë që as Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara të mos keqinterpretojnë lëvizjet e njëra-tjetrës. Traktati vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore të vendosura me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si SHBA ashtu edhe Rusia. Ai u zgjat për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet. Sipas traktatit kyç të kontrollit të armëve bërthamore, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëra-tjetrës, megjithëse inspektimet ishin ndërprerë që nga viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.
Armë bërthamore taktike në Bjellorusi, Putini do të shpërqendrojë vëmendjen
Putini kërkon të frikësojë botën dhe ta shpërqendrojë atë nga problemet e tij, kur tha se ka në plan të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi, aleatin fqinj nga i cili organizoi një pjesë të pushtimit të tij të Ukrainës në shkurt 2022. Ai e di se kur përdor fjalën “bërthamore”, bota i kushton vëmendje, prandaj kjo duket të jetë një arsye kryesore, thanë ekspertët. Por duhet lexuar midis rrjeshtave dhe duhet kontrolluar konteksti thonë ata. Armët që Putin planifikon të transferojë në Bjellorusi nuk janë armë bërthamore strategjike, ato janë raketa gjigante balistike ndërkontinentale që, nëse lëshohen, mund t’i japin fund jetës në tokë. Armët bërthamore taktike janë më të vogla, por të fuqishme dhe mund të përdoren në fushën e betejës. Putini ka kërcënuar mundësinë e një lufte bërthamore edhe gjatë vitit të kaluar, ai e bën tani veçanërisht kur operacioni i tij ushtarak në Ukrainë po lëkundet, kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar kontekstin e njoftimit të Putinit, i cili për momentin “është njeri me shumë probleme”, thonë analistët. Forcat ruse po bombardojnë qytetet e Ukrainës nga ajri, por lufta e tyre tokësore nuk po bën shumë përparim. Përveç disa marrëveshjeve të reja tregtare me Kinën, që së fundmi takimi i Putin me Xi Jinping, e bën Rusinë tani duket të jetë partneri i vogël i Kinës. Nga ana tjetër është Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe urdhri i arrestit që ajo ka lëshuar për Putinin.
Ndërkohë Putin fajëson perëndimin për vendimin e tij, duke justifikuar se ai po vepron si kundërpërgjigje ndaj furnizimit të Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar me municion antitank që përmban uranium të varfëruar dhe ai thotë se ky është një përshkallëzim i rrezikshëm. MB e mohon këtë, duke shpjeguar se municioni përdoret vetëm për qëllime konvencionale. Ndërsa Putin tha se Rusia po ndërton një objekt magazinimi për armët bërthamore taktike që do të jenë gati deri në korrik. Ai tha se Rusia tashmë ka 10 avionë të aftë për të mbajtur armë bërthamore, si dhe disa sisteme raketash me rreze të shkurtër veprimi Iskander që mund të mbajnë armë bërthamore. Gjithashtu lideri rus tha se nuk do të transferojë kontrollin e armëve bërthamore taktike te presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, i cili nga ana e tij ka kërkuar armët prej një kohe të gjatë, ndërkohë që ka nënshkruar një marrëveshje në 1994 ku heq dorë nga armët bërthamore strategjike, që Bjellorusia i kishte në fund të Luftës së Ftohtë. Mbajtja e kontrtollit të armëve nga forcat ruse të cilat nëse do të vendosen përgjithmonë në tokën bjelloruse, tregon se Lukashenko është edhe më shumë nën kontrollin e Putinit.
Rusia pezullon të gjitha njoftimet bërthamore, SHBA i përgjigjet
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të mërkurë më 29 mars, se të gjitha llojet e njoftimeve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në bazë të traktatit të ri bërthamor START janë pezulluar. Sipas medias shtetërore ruse deklarata e Ryabkov përfshinte pezullimin e njoftimeve për lëshimet e raketave provë. Njoftime të tilla mbulohen nga traktati origjinal i vitit 1988, i cili mbetet në fuqi. Ryabkov tha se “nuk do të ketë fare njoftime. Të gjitha formatet janë pezulluar.”, tha ai. “Të gjitha njoftimet, të gjitha format e njoftimeve, të gjitha shkëmbimet e të dhënave, të gjitha aktivitetet e inspektimit, në përgjithësi, të gjitha llojet e punëve sipas kontratës janë pezulluar, nuk do të kryhen. Dhe kjo nuk varet nga pozicioni që Shtetet e Bashkuara mund të marrin”, tha Ryabkov, sipas mediave shtetërore ruse.
Kurse një ditë më parë zyrtarë të lartë amerikanë e bënë të ditur se Rusia nuk do që t’i japë Shteteve të Bashkuara të dhëna për forcat e saj bërthamore që ndahen çdo gjashtë muaj në bazë të traktatit kyç të kontrollit të armëve bërthamore. Dhe si përgjigje e kësaj edhe SHBA nuk do ta bëjnë këtë, tha zyrtari i lartë i Pentagonit dhe një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Masa e Moskës për të mos dhënë informacionin vjen pasi Presidenti Vladimir Putin në shkurt pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri START, e vetmja marrëveshje dypalëshe e mbetur midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.
Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Hapësinore, John Plumb tha se SHBA i kishin bërë presion Rusisë për shkëmbimin e informacionit, që duhet të ndodhë në fund të këtij muaji. “Dje, ne patëm një ndërveprim të mëtejshëm me Rusinë, duke i shtyrë ato në fundin e muajit të ardhshëm, do të ketë një shkëmbim gjashtëmujor të të dhënave çdo gjashtë muaj, sipas traktatit, ne shkëmbejmë të dhëna për një lloj numrash të nivelit të lartë”, tha ai në një seancë dëgjimore të nënkomitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve. Por “Rusia u përgjigj se nuk do ta japin informacion”, tha ai. “Dhe kështu, si një kundërmasë diplomatike, Shtetet e Bashkuara nuk do të kthejnë informacion. Ne do të vazhdojmë të shqyrtojmë se cilat janë kundërmasat diplomatike që janë të përshtatshme,” tha Plumb. “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, është të balancojmë si përgjigje ndaj sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë, por edhe të vazhdojmë të demonstrojmë atë që ne besojmë se duhet të jetë veprimi i një fuqie bërthamore të përgjegjshme.” Zëdhënësi i NSC e përshkroi vendimin për të mos ndarë të dhëna në përgjigje të veprimit të Rusisë “si një kundërmasë të ligjshme që synon të inkurajojë Rusinë të kthehet në përputhje me traktatin” dhe vuri në dukje se “Dështimi i Rusisë për të shkëmbyer këto të dhëna do të jetë një shkelje e traktatit, duke i shtuar shkeljet ekzistuese të Traktatit të Ri START.” . Në interes të stabilitetit strategjik, “SHBA do të vazhdojnë të promovojnë transparencën publike në nivelet dhe qëndrimin e forcës sonë bërthamore”, tha zëdhënësi i NSC.
Ukraina kërkoi takim urgjent të OKB-së
Ndërsa NATO e kritikoi Presidentin Putin, për retorikë “të rrezikshme dhe të papëgjegjshme” bërthamore, një ditë pasi ai tha se ka në plan të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi, Presidenti Putin e krahasoi manovrën e tij me vendosjen e armëve amerikane në Evropë. Ai këmbënguli se Rusia nuk do të shkelte premtimet e saj për mospërhapjen e armëve bërthamore. Edhe pse jo i papritur, plani është një nga sinjalet më të qarta bërthamore të Moskës që nga fillimi i agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës 13 muaj më parë.
Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri thirrje për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas njoftimit të Presidentit Putin dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të “marrë masa vendimtare” për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. “Rusia konfirmoi edhe një herë paaftësinë e saj kronike për të qenë një kujdestar i përgjegjshëm i armëve bërthamore, si një mjet frenimi dhe parandalimi i luftës, jo si një mjet kërcënimi dhe frikësimi” thuhet në deklaratë.
Ndërsa Uashingtoni, superfuqia tjetër bërthamore në botë, hodhi poshtë shqetësimet rreth njoftimit të Presidentit Putin, NATO tha se premtimi i presidentit rus për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe krahasimi me vendosjen e armëve amerikane jashtë vendit ishin shumë të gabuara. “Refernca ndaj armëve bërthamore të aleancës është tërësisht e gabuar. Vendet e NATO-s veprojnë në përputhje të plotë me angazhimet e tyre ndërkombëtare”, tha Aleanca, është Rusia ajo që “ka shkelur vazhdimisht angazhimet e saj për kontrollin e armëve”.
Analistët e Institutit për Studimin e Luftës, me qendër në Uashington, thonë se rreziku i përshkallëzimit të luftës bërthamore “mbetet jashtëzakonisht i ulët” dhe plani i Rusisë është shqetësues dhe i hartuar për të frikësuar Perëndimin. “Putin po shfaq forcën usharake, në thelb një përpjekje për të ndjellë frikë. Armët bërthamore taktike përbëjnë shqetësim”. John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, tha gjithashtu se SHBA nuk kanë parë asnjë sinjal se Presidenti rus Vladimir Putin po bënte përgatitje për përdorimin e armëve bërthamore, “nuk kemi parë asnjë shenjë që mund të na sinjalizonte se Putini po përgatitet të përdorë në ndonjë mënyrë armë taktike bërthamore në Ukrainë. Po ashtu, mund t’u them se nuk kemi parë asgjë që do të na bënte të ndryshonim qëndrimin tonë strategjik bërthamor”.
Këshilltari i Presidentit Volodymyr Zelenskiy për sigurinë, Oleksiy Danilov, tha se plani i Rusisë do të destabilizonte edhe Bjellorusinë, e cila tha ai, ishte marrë “peng” nga Moska. “Eshtë hera e parë që nga mesi i viteve 1990 që Rusia ndërmerr një hap të tillë”. Një tjetër këshilltar i lartë i Presidentit Zelenskiy, tha se Putin “pranon se ka frikë të humbasë dhe gjithçka që mund të bëjë është të ndjellë frikë përmes taktikave”, tha ai.
Shantazhi bërthamor i Putinit , çfarë do të thotë për Bjellorusinë
Me “shpalljen” e Putinit për vendosje të armëve bërthamore edhe në Bjellorusi, siç ndodh shpesh, stuhia e raportimeve alarmante pushtoi mediat, duke nxitur dhënien e detajeve. Eshtë një taktikë që Rusia tashmë ka “përdorur” për armë bërthamore duke tregtuar me kërcënime boshe për sulme të mundshme bërthamore për të penguar në mënyrë shumë efektive Perëndimin që të mbështesë Ukrainën kundër luftës të Rusisë. Putini e ka thënë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt 2022. Ai ka mobilizuar në një fushatë të gjatë të gjithë propaganduesit, ndikuesit, zëdhënësit dhe agjentët e influencës të Rusisë në të gjithë Perëndimin, duke sjellë mesazhin e vetëm se Rusia nuk duhet të kundërshtohet sepse kjo do të shkaktojë luftë bërthamore. Rusia ka përdorur armët e saj bërthamore si një kartë për të shpëtuar nga pasojat e veprimeve të saj në Ukrainë.
Por kjo ka implikimet të menjëhershme edhe për Bjellorusinë fqinje. Për vite me radhë, presidenti Aleksandër Lukashenko ia doli të ruante një shkallë pavarësie, dhe në veçanti të shmangte kontraktimin e mbrojtjes së Bjellorusisë ndaj aleatit të saj imagjinar Rusisë, për shembull, duke shmangur kërkesat e vazhdueshme ruse për një bazë ajrore atje.
Gjithçka ndryshoi pas zgjedhjeve të Bjellorusisë në gusht 2020. Duke u mbështetur më fort tek mbështetja ruse për të qëndruar në pushtet, Lukashenko i hapi rrugën që kontrolli i Kremlinit të forcohej mbi vendin e tij. Ky ishte një parakusht thelbësor që Bjellorusia të lejonte që objektet e saj tokësore dhe hapësira ajrore të përdoreshin nga Rusia për sulmet ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Forcat e armatosura të Bjellorusisë, megjithë bashkëpunimin e tyre të ngushtë me ato të Rusisë, nuk kanë treguar prirje të dukshme për të shkuar në luftë për Moskën, pasi kjo do ta ekspozonte vendin e tyre ndaj reprezaljeve. Dhe raportimi i përhapur në fillim të këtij viti se Rusia mund të përgatiste një sulm të ri ndaj Ukrainës nga territori bjellorus, tashmë është zhvlerësuar gjerësisht pasi Rusia nuk ka vendosur forcat për ta bërë këtë. Por sulmet e dronëve ukrainas ndaj aseteve me vlerë të lartë brenda Bjellorusisë tregojnë se si Lukashenko duke siguruar një zonë mbështetëse të pasme për operacionet ushtarake ruse e ka bërë vendin e tij një objektiv. Pritja e armëve bërthamore ruse, nëse ndodh, do të thotë që Lukashenko po e ekspozon vendin e tij ndaj një rreziku edhe më të madh./Marrë nga gazeta ‘Ushtria’
Fraksion.com

