AktualitetTë fundit

Zjarret, digjen tre shtëpi në Bërdicë; Peleshi thirrje banorëve: Evakuohuni nëse ju kërkohet nga autoritetet

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

Me anë të një statusi në Facebook, ai ka deklaruar se situata më e rrezikshme paraqitet në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ku po kryhet edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Peleshi u ka bërë thirrje banorëve që tu binden urdhrave në rast se kërkohet evakuimi i tyre.

“Kushtet atmosferike, era e fortë në disa raste po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren, në përballje me zjarret. Problematike është situata në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ku po ndërhyn nga ajri helikopteri i Forcës Ajrore.

 

U bëjmë thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet. Nga toka dhe nga ajri po punohet edhe në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin. Efektivë të FA janë angazhuar për shuarjen e flakëve në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat”, shkroi ministri Peleshi.

 

Ndërkohë mësohet se tre shtëpi janë djegur prej zjarrit që ka përfshirë sot njësine administrative të Bërdicës në Shkodër.

Flakët janë përhapur me shpejtësi si rezultat i erës. Forcat zjarrfikëse dhe ushtria kanë evuuakuar menjëherë banorët në dy prej shtëpive ndërsa e treta ka qenë e pabanuar prej pak kohësh.

Edhe në këto momente po vijon lufta me flakët në Bërdicë ndërsa zjarret kanë rrethuar të gjithë Shkodrën, nga Postriba, në Bardhaj e deri në kufirin me Malësinë e Madhe.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe kodrat në zonën e Shënepremtes në Lushnjë.

Mësohet se flakët kanë përfshirë disa kodra me ullinj, të favorizuara edhe nga era e fortë dhe temperaturat e larta të gushtit. Aktualisht zjarri po kalon në Kodrat e Divjakës, afër fshatit Gërmenje.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri.

Aktualisht është aktiv zjarri në fshatin Gjysulkanë të Tiranës, i cili rrezikoi edhe banesat.

Vazhdon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut”, fshati Ura e Shtrenjtë dhe fshati Vilëz, në Shkodër.

Po ashtu, zjarri është aktiv edhe në Malin e Tolës në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat.

Edhe në Durrës, zjarri ka rënë në në fshatin Shetaj, i cili është ende aktiv.

Në fshatin Zezë, bashkia Krujë, është punuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë mbrëmjen e djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ku janë rrezikuar dhe banesa.

Zjarri është aktiv edhe në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, në fshatin Shpërdhezë, bashkia Mirditë, dhe në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com