Meta: Udhëheqësit e vërtetë punojnë për të mbrojtur paqen në çdo kohë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti “Forumin Botëror për Kulturën dhe Një Paqe të Drejtë” që po zhvillohet në Valeta, nën kujdesin e Presidentit të Maltës, George Vella.
Në fjalën e tij Meta u shpreh se, “ky forum mbahet veçanërisht në momente kaq dramatike – kur paqja, lidershipi i vërtetë, ndërmjetësimi dhe pajtimi midis kombeve dhe popujve janë një domosdoshmëri dhe urgjencë”.
“Teksa ne po flasim këtu, raketat dhe bombat po hidhen drejt qyteteve, spitaleve, shkollave dhe shtëpive të Ukrainës. Shumë civilë kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur. Kjo është një periudhë e zezë jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën. Ajo tregon se të gjithë liderët botërorë dhe të gjithë aktorët kryesorë në politikë-bërje, në vendet e tyre dhe në arenën ndërkombëtare, duhet të jenë vigjilentë dhe të mos e marrin kurrë paqen si të mirëqenë”, tha Meta.
“Të gjithë ne jetojmë nën të njëjtin qiell, por shikojmë horizonte të ndryshme. Udhëheqja e vërtetë përfshin vizionin dhe vendosmërinë për të shikuar përpara, drejt një të ardhmeje më të ndritur, duke i shërbyer popullit, vendit si dhe duke mbrojtur paqen. Udhëheqja e vërtetë do të thotë që të jesh i aftë për të parashikuar çdo rrezik potencial si dhe për të vepruar paraprakisht, duke punuar pa u lodhur e duke i frymëzuar njerëzit drejt rrugës së tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe harmonisë mes qytetarëve dhe kombeve. Udhëheqja e vërtetë tregohet nëpërmjet shembujve dhe jo vetëm fjalëve dhe opinioneve. Udhëheqësit e vërtetë punojnë për të mbrojtur paqen në çdo kohë, dhe ata mund të parandalojnë konfliktet vetëm duke mundësuar dhe konsoliduar demokracinë për kombet e tyre”, theksoi Meta.
“Vetëm demokracia mund të parandalojë luftën dhe të ndërtojë besim mes kombeve.Nëse qeveritë ofrojnë demokraci dhe begati në vendin e tyre për qytetarët e tyre, atëherë do të ketë respekt të ndërsjellë midis kombeve dhe qytetarëve të tyre, pavarësisht nga origjina, feja, etnia, forca dhe madhësia”, shtoi Meta.
“Sot në botë ka shumë konflikte dhe ato janë ndezur nga udhëheqës të papërgjegjshëm, përjashtues dhe të dhunshëm. Udhëheqësit jodemokratikë i shtypin popujt e tyre, përçajnë kombet dhe u hapin rrugë ambicieve ekspansioniste, duke shkaktuar konflikte dhe duke kërcënuar paqen. Bota sot po përjeton rritjen e rrymave populiste, nacionaliste dhe ekstremiste në disa vende, të cilat mbështesin me nostalgji ekspansionizmin, ringjalljen e koncepteve shtet-komb, ndarjet etnike e deri te ndryshimi i kufijve territorialë fatkeqësisht. Ngjarjet e fundit në Ukrainë duhet të jenë një mësim dhe një kambanë alarmi për të gjithë liderët botërorë dhe aleancat demokratike. Një thirrje zgjimi për përpjekjet e eksperimenteve territoriale në rajone të tjera”, nënvizoi Meta.
Prandaj, shtoi ai, “duhen bërë përpjekje të mëtejshme dhe duhet të ndërtohen mekanizma më të fortë për të siguruar paqen në rajone të tjera të kontinentit dhe të botës. Ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu thelbësore për paqen e Evropës dhe botës siç e kemi parë deri më tani”.
Fraksion.com

