Pesë prokurorë angazhohen për zbardhjen e rastit të zjarrit në Tetovë
Prokuroria Publike Themelore ka njoftuar se pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit modular Kovid në Tetovë.
“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Kovid në Tetovë, ku shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike
Shpërthim ka ndodhur në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientët e sëmurë me COVID-19. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:02, të mbrëmjes së mërkurës.
Ndërkohë Policia e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se kanë humbur jetën 15 pacientë, ndërsa në spital kanë qenë të shtruar 24 pacientë të infektuar me covid.
Në vendngjarje ka shkuar menjëherë kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila me lot në sy përpara mediave u shpreh se dhimbja është shumë e madhe për ngjarjen e sotme, pavarësisht shkakut të saj.
Edhe ministri i Shëndetësisë, bëri një shkrim në Twitter duke njoftuar se është nisur drejt vendngjarjes, ndërsa apeloi për qetësi tek qytetarët deri sa të dalë një informacion zyrtar.
Fraksion.com

