“Përdorim kriminal i të miturve në akte të rënda”; Spiropali: Berisha, Meta e Basha janë gati ta djegin Shqipërinë
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka garantuar se do të bëhet drejtësi për Klodian Rashën. Gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e së shtunës, Spiropali u shpreh se hetimi mbi rastin po kryhet dhe efektivi i cili kreu krimin me armën e shtetit shqiptar është pas hekurave dhe se për Klodianin do ketë drejtësi.
Ministrja Spiropali, tha se ka vizituar shtëpinë dhe familjarët e të ndjerit duke sjellë fjalët e babait të Klodian Rashës, i cili ka kërkuar të mos preket asnje lule në emër të djalit të tij.
“Është humbje e madhe, tragjike, e pajustifikueshme. Drejtësia do të bëhet, hetimi është i plotë, transparent, me bashkëpunimin e plotë të policisë, SHÇBA-së dhe prokurorisë. Përgjegjësi do të ketë për këtë akt individual dhe të dënueshëm. Ngjarja është dhe më e rëndë për ne sepse arma ishte e shtetit shqiptar. Kjo e rëndon rastin por kurrsesi nuk mund të përdoret si një arsye për të goditur policët, kriminalizuar policët, ata burra shqiptarë që shërbejnë, me një rrogë modeste për të na ruajtur, mbajtur rendin dhe forcuar ligjin në Shqipëri. Akti ishte tragjik dhe fjalët e babait të djalit të ndjerë e thonë më mirë, që unë dua drejtësi dhe i besoj shtetit. Një kthjelltësi e jashtëzakonshme dhe brenda një dhimbjeje të madhe. Shumë larg mentalitetit të egër shtetshkatërrues”,- tha Spiropali.
Ministrja Spiropali tha se ata që dalin në protestë janë të shtyrë nga politika e dhunës, frymës së urrejtjes e PD e LSI.
“Ajo nuk është rinia shqiptare që proteston në rrugë. Rinia nuk është një trup i vetëm që del në protestë. Janë të rinj dhe nga ajo që kemi parë në Shkodër, por dhe në Tiranë, të nxitur e manipuluar, është përdorim kriminal i të miturve në akte të rënda. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të preket selia e ndonjë partie politike. Dhe në ‘97 selia e PD nuk është prekur dhe është mbrojtur nga ne. Ajo që ka ndodhur ka vendosur një vijë të qartë se kush është fytyra e Ilir Metës, Sali Berishës, Lulzim Bashës që janë të gatshëm ta kthejnë Shqipërinë në plaçkë dhe ta djegin pa brejtje ndërgjegje. Janë pasues, trashëgimtarë të traditës së shkatërrimit të shtetit. Janë frymëzues të luftës së egër kundër institucioneve. Nuk mund ta pranojnë që historia do i nxjerrë jashtë. Kësaj pusete që qelb shoqërinë shqiptare me gjuhën e urrejtjes, me akte urrejtje, dhune, të goditjes së institucioneve, selive të partive, i ka ardhur fundi. Është dëshpërimi i tyre, është dobësia e tyre dhe jo forca që po vepron. Të gjitha hapat e duhur po ndërmerren”,-, tha Spiropali.
“Ka nevojë për kthjelltësi, jo t’i hidhet benzinë një zjarri që nuk ekziston. Efektivi i policisë është sot pas hekurave. E mbani mend si i fshihnin vrasësit dhe gardistët në kullë. Polici është pas hekurave. Nuk ka asnjë tentativë nga Policia e Shtetit, SHÇBA. Rrethanat i di prokuroria e shtetit, ajo është përgjegjëse për të hetuar, dhënë pretenca dhe gjykata për të dënuar. Ajo që po ndodh është që policia e shtetit është treguar bashkëpunuese. Ministri ka dhënë dorëheqjen. Përgjegjësi e plotë, përgjegjësi qytetare, edhe pse ai Ministër konsolidoi Policinë e Shtetit, duke i dhënë Policisë një standard tjetër. Forcën tonë, qytetarinë nuk mund ta përdorin ata që i kanë vënë zjarrin shtetit”,- u shpreh Spiropali.
“Nuk ka asnjë tentativë nga ne për ta politizuar. Ne kemi prova se janë paguar, kishte dëshmi publike. Këta të rinj janë përdorur për mish top. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë fajtorë për 30 vjet politikë këtu. Janë disa të rinj, jo rinia shqiptare. Janë fëmijë të përdorur. Edhe në kushtet e luftërave civile në Afrikë ka drojë për të përdorur fëmijë. Vetëm organizatat terroriste përdorin fëmijë”, u shpreh Spiropali.
Ministrja Spiropali, shton se Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Ministri Lleshaj nuk kanë asnjë përgjegjësi për vrasjen e djaloshit Klodian Rasha. “Asnjë lidhje nuk kanë. Nuk kanë dhënë asnjë urdhër për vrasjen e 25-vjeçarit. Përkundrazi, kanë hetuar plotësisht ngjarjen dhe kanë arrestuar autorin. Berisha flet me kode dhe ai dha urdhër për vrasjet e protestuesve të 21 janarit, një njeri tribal që flet me kode. U fshinë provat atë natë të 21 janarit dhe të nesërmen Ministri i Brendshëm i asaj kohe, që sot nuk mban asnjë përgjegjësi për katër të vrarët në Bulevard, fshehu urdhërarrestin për gardistët. Sot nuk ndodh kjo”,- tha Spiropali.
Më tej, Spiropali akuzoi kryetaren e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, se ka orkestruar protestën e dhunshme në qytetin verior. “Voltana Ademi ishte në krye të protestës në Shkodër, sepse ajo ka dërguar mesazhe dhe kjo është faktuar. Kur policia vepron, thuhet se po bën dhunë. Kur nuk vepron, thuhet pse nuk vihet në punë. Kjo është absurde. Këta i kanë përdorur fëmijët si mish për top. Këta fëmijët i kanë nëpër shtëpitë që i kanë blerë në Europë, në Holandë. Dhimbja e vdekjes të të riut mos të përdoret politikisht. Këta janë nekrofilë. Përdorin vdekjen për politikë”,- theksoi Spiropali.
Fraksion.com

