AktualitetTë fundit

Pipero: Një valë e dytë e COVID-19 në vjeshtë, me efekte negative disa herë më të vogla

Pëllumb Pipero, mjeku i njohur infeksionist pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” deklaroi mbrëmjen e së martës se nëse nuk do të ketë një vaksinë shumë shpejt, në dispozicion do të jetë imunoglobina për të shëruar rastet e rënda me koronavirus.

Pipero u shpreh kështu në një intervistë televizive duke iu referuar studimit më të fundit të Universitetit të Utrehtit në Holandë. Sipas tij, edhe nëse do të kemi një rikthim të virusit në vjeshtë apo dimër, impakti negativ nuk do të jetë kaq i madh sa në valën e parë.

“Në rast se nuk kemi një vaksinë mund të zgjasë një vit e gjysmë deri në dy vjet. Por, duhet të kemi në konsideratë që rikthimi i një vale të dytë nuk do ketë këtë impakt që pati në valën e parë. Një pjesë e madhe e qytetarëve bie në kontakt, duke rënë në kontakt krijojnë imunitet”, u shpreh ai.

“Informacioni i ardhur nga Universiteti në Utreht për identifikimin definitivisht të antitrupave humane anticovid është lajmi më i madh që kam dëgjuar unë gjatë këtyre ditëve. Kjo dëshmon që organizimi jo vetëm që prodhon antitrupa, por këto antitrupa janë efektive dhe e neutralizojnë virusin, çka dëshmon që ne shumë shpejt edhe nëse nuk do kemi një vaksinë mund të kemi në dispozicion një imunoglobulinë, e cila do të na ndihmojë të mos kemi raste të rënda apo të ndihmojmë rastet e rënda për t’i mjekuar”, u shpreh Pipero.

“Fakti që prodhohen antitrupa dëshmon që personat që bien në kontakt fitojnë imunitet. Së dyti, sistemet shëndetësore do jenë shumë herë më të përgatitura. Së treti, nuk është e thënë t’i themi njerëzve në fund të këtij viti dy herë kujdes se kemi virusin. Por boll t’ia rikujtojmë dhe ata do t’i zbatojnë masat. Prandaj për të gjitha këto arsye them se rikthimi i një vale të dytë në fund të vjeshtës apo në fillim të dimrit do ketë efekte disa herë më të vogla negative sesa pati këtë radhë”, tha mjeku Pipero.

Pipero u shpreh se qytetarët duhet të rrisin vigjilencën e tyre, ndonëse kanë nisur lehtësimet dhe faza e hapjes.

Grafiku i epidemisë ka dëshmuar që ka pasur luhatje të vazhdueshme. Nëse i referohemi grafikut, ka luhatje, por tendenca e kurbës është në ulje të vazhdueshme. Rastet e konstatuara janë asimptomatike, por janë kontakte të kontakteve të shtruara më parë”, theksoi ai.

“Lëkundja, apo zigzaget e këtij grafiku dëshmojnë se ne jemi të fokusuar, po gjurmojmë kontaktet, kontaktet e kontakteve. Pra jemi më afër vatrës dhe bëjmë të mundur izolimin më shpejt të vatrës”, u shpreh mjeku.

“Për mua nuk është shqetësuese, por është një sinjal i fortë që tregon se në rast se 7 ditë më parë filloi lehtësimi i masave dhe 7 ditë më pas kemi një ngritje të rasteve, ky është një sinjal i rëndësishëm për t’i thënë qytetarëve që lehtësimi i masave nuk do të thotë ulje e kujdesit, shmangie e këshillave për distancimin fizik, respektimin e higjienës, vendosjen e maskës. Në rast se nuk kemi kujdes mund të kthehemi prapa. Qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj respektimit të masave të distancimit fizik dhe higjienës. Është shumë e rëndësishme të mos tregohemi të shkujdesur këtë periudhë”, përfundoi mjeku Pipero.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com