“Gjermanët ushqenin rreth 15600 ballistë”, Marenglen Kasmi: Pse janë të besueshme shifrat
Historiani Marenglen Kasmi publikoi dokumente exclusive në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, që hedhin dritë mbi pushtimin nazist të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kasmi solli në “Real Story” dokumentet origjinale të ushtrisë gjermane, që përshkruajnë aksionin e tyre 14 mujor në Shqipëri. Ndër dokumentet janë dhe ato që hedhin dritë mbi trupat nacionaliste shqiptare që kanë bashkëpunuar me gjermanët. Sipas historianit Kasmi, në dokumentet gjermane evidentohen se janë rreth 15600 trupa të ndara në 77 çeta të Ballit Kombëtar, si forca aleate të gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore.
“Kjo është një listë, janë grupime sigurie dhe banda, se kështu i quanin, të cilët bashkëpunojnë me Gjermanët. Këto janë banda me qëndrim pritës, qëndrim neutral. Abaz Kupi kishte forcë nga 500 deri në 3000 mijë. Po ti referohemi listës, trupat që bashkëpunojnë me gjermanët, janë 77 çeta të Ballit Kombëtar me afërsisht 15 mijë e 600 burra. Janë sipas zonave dhe rajonit ku ato luftojnë. Për të gjitha këto trupa, në ditarin luftarak të forcave gjermane janë të pasqyruara”, u shpreh Kasmi.
Po a janë të besueshme këto shifra? Marenglen Kasmi tha se shifrat janë të besueshme për arsyen e vetme se këto çeta furnizoheshin nga gjermanët me armatime, ushqime dhe veshje. “Nuk ka komandat ushtarak që gënjen dot kur vjen puna në këtë pikë. O i ke njerëzit në rresht ose nuk i ke. Mund të ketë brenda kësaj liste dhe gjëra që mund të lëviznin. Ne e dimë që Abaz Kupi ka patur rreth 2000 forca të llogaritura. Për sa i përket këtyre forcave unë mendoj se janë forca që ushqeheshin nga gjermanët. Këto armatoseshin, visheshin, ushqeheshin nga gjermanët. Është listë e mbledhur nga të gjitha trupat që raportonin. Po të shikohet janë të ndara sipas zonave. Unë them që kjo shifër është e përafërt, sepse mund të gjesh dhe elementë që mund të jenë të lëkundur”, tha Kasmi.
Më tej, Marenglen Kasmi dha dhe argumente të tjera që tregojnë se gjermanët pas operacionit të qershorit 1944, njohin Ushtrinë Nacional Çlirimtare jo më si banda komuniste, por brigada të strukturuara. Sipas tij, në momentin që ushtria çlirimtare u fuqizua, Balli Kombëtar humbi mundësinë që të dilte si forcë politike. “Mbas qershorit të 1944 gjermanët nuk flasin më për banda komuniste, por flasin për brigada për struktura më të organizuara. Dhe për gjermanët kjo forcë shihet si e tillë. Edhe në pikëpamje të luftës politike në Shqipëri kjo është e qartë. Në këtë moment Balli Kombëtar e humbi mundësinë të dilte si forcë politike”, tha historiani Kasmi.
Pjesë nga intervista:
Si ka mundësi që ju thoni shqiptarët e dinin dhe këta nuk e dinin?
E dinin, por besuan se me forcën e armëve gjermane do eliminojnë kundërshtarin e tyre politik, sikurse edhe kundërshtari tjetër e kishte në plan të parë këtë gjë.
Thjesht partizanët ishin më me fat thoni ju?
Jo me më shumë fat, sepse nëse e vazhdojmë me nëse, por opsioni ngel i hapur. Balli Kombëtar do të kishte mbetur minimalisht neutral në këtë konflikt, ndoshta mund të kishte qenë sërish viktimë e luftës për pushtet dhe marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha, pra qartë si një viktimë, por bashkëpunimi e shkatërroi këtë kartë. Pse? Sepse po të shikojmë raportet gjermane, pas vlerësimit të Mukjes, ku thuhet se Balli Kombëtar nuk do të luftojë kundër nesh.
Nëse mund të na sjellësh dokumentet gjermane, që flasin për marrëveshjen e “Mukjes”…
E fundit është e datës 23 gusht, ku flitet për ndarjen e forcave politike shqiptare dhe për mundësitë e bashkëpunimet që liheshin të hapura. Flitet për krijimin e organizatave, çlirimin e Shqipërisë, ku është i përfshirë edhe Balli Kombëtar. Në dokument na është bërë e ditur se Balli Kombëtar, që doli nga Mukja, do të luftojë kundër italianëve, por jo kundër gjermanëve. Këto vlerësime që dolën nga Mukja për gjermanët rezultuan të vërteta, sepse i tregoi edhe historia më pas. Këtu bëhet ndarja sa i përket fillimit të luftës, që thuhet lufta civile, që për mua nuk ka qenë e tillë. Në momentin që gjermanët erdhën, e panë menjëherë që forca nuk kemi, presioni partizan është i madh. Edhe Berati që u pa me shumë kujdes nga gjermanët, u pa që ishte më shumë kundër tyre, sesa pro. U mor vendimi që forca s’kemi. Janë shtyrë, stimuluar çetat e Ballit Kombëtar të vijnë në bashkëpunim, duke i joshur me armatime, veshmbathje, etj., me qëllim që ky konflikt të shndërrohej në konflikt shqiptar. Në hartë është një operacion ndëshkimor, siç i quanin gjermanët. Duke qenë se partizanët nuk quheshin si ushtri e rregullt. Në momentin që partizanët hidhnin kapelën, ata quheshin fshatarë. Ndaj dhe duke qenë se ata nuk e bënin dot dallimin, kushdo që dilte para, ata e vrisnin. Ndërkohë, që për një ushtar gjerman, ekzekutoheshin deri në dhjetë vendas. Kjo ka qenë direktivë e përgjithshme, jo vetëm për Shqipërinë. Nëse ndjekin panin zhvillimor të këtij operacioni bie në sy roli që duhet të kishin çetat e Ballit Kombëtar, të cilat nga një bashkëpunim i fshehur, gjysmë zyrtarë, madje gjermanët thonin se duan të kalërojnë me dy kuaj. Më 8 tetor 1943, jepet urdhri për pezullimin e luftës (siç thotë Mit’hat Frashëri) gjermane, ndërkohë që nuk kishte patur një luftë të tillë. Një ditë më pas, gjermanët raportojnë që kemi marrë dijeni që Mit’hat Frashëri ka urdhëruar forcat e Ballit Kombëtar të bashkëpunojnë me gjermanët.
Pasi forcat gjermane pastrojnë territorin nga partizanët, ata duhet të hyjnë në këto rajone, duke shërbyer fillimisht si udhërrëfyes, duke luftuar, duke marrë pjesë në operacione, ishte pikërisht Balli Kombëtar që duhet të merrte në administrim këtë zonë, pra të krijoheshin ca ishuj të çliruar nga partizanët komunistë dhe t’i merrte Balli Kombëtar. Ky i fundit nuk e realizoi dot këtë. Balli Kombëtar shpresoi që me forcën gjermane fitonin territor dhe kur gjermanët të ikin, kushdo që do vijë është i detyruar të merret vesh me ne, por një gjë e tillë nuk mund të funksiononte në Luftën e Dytë Botërore.
Pse shqiptarët, civilët, nuk e përqafuan këtë lëvizje? Pse zgjodhën rezistencën dhe komunistët si përfaqësues të rezistencën së tyre?
Sepse shqiptarët në vazhdimësi gjatë gjithë historisë së tyre e kishin shfaqur këtë rezistencë. Këtu kam parasysh edhe rezistencën osmane. Pra, popullit shqiptar i ishte dashur të luftonte për rezistencën e tij. Por, këtu duhet të shohim edhe përfaqësuesit. Nëse shohim Konferencën e Pezës, Partia Komuniste, Enver Hoxha, merr elementë të njohur, si Myslym Peza, Abaz Kupi, Haxhi Lleshi, etj, sepse nuk e njihte njeri Partinë Komuniste. I duhej që njerëzit me influencë t’i kishte aty, duke përdorur patjetër edhe ideologjinë.
Operacioni i dimrit në kontekstin gjerman të fjalës?
Nuk ka në kontekstin gjerman një operacion të dimrit, ka shumë operacione me emra të ndryshëm. Operacioni i dimrit fillon me 505, dhe ka një qëllim të qartë, që ne t’i kthehemi me gjithë forcën tonë ushtrisë partizane, t’i asgjësojmë, Balli Kombëtar me forcat e tij mbajnë këto zona dhe ne heqim njëherë e mirë rrezikun partizan. Kjo gjë nuk funksionoi, sepse përvoja tregoi se pas daljes së dimrit, ushtria partizane, ku edhe Enver Hoxha e pranon vetë se është thuajse u likuidua, dhe është momenti kur hynë në qeveri në Tiranë edhe përfaqësues të Ballit Kombëtar, pra pushteti erdhi, u sigurua. Kjo sepse një ushtri e rregullt i vihet pas një ushtrie partizane. Ka shumë operacione, që i kemi përmbledhur në termin operacioni i dimrit, dhe që janë për marrjen e tokave apo goditjen e forcave të caktuara.
A ka shifra, se sa të vrarë, sa të plagosur …
Të gjitha operacionet janë të shoqëruara me bilancin përfundimtar. Është një bilanc i pastër. Në këtë dokument kemi një fletë nga regjistri i Spitalit Gjerman të Tiranës, ku shihen emra të forcave të Ballit Kombëtar, që janë mjekuar dhe shëruar në Spitalin Gjerman. Gjermanët nuk të linin kollaj, në fund të listës shihet që janë 332 ditë.
Këto ti i quan “firmat e tradhtisë”?
Jo, nuk them ashtu. Ata luftonin pro gjermanëve, sepse jo vetëm i armatoste, por edhe i shëronte. I merrte, i shëronte, por në fund u bënte gati faturën, që e paguanin sërish shqiptarët. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo ndiqej e njëjta gjë. Në mars 1944, u pa që lëvizja partizane jo vetëm që nuk u asgjësua, por doli më e fuqishme. Sa më shumë shtohej goditja gjermane, aq më e madhe bëhej përkrahja që merrte lëvizja nacionalçlirimtare. Madje, tashmë kemi forcat shqiptare të ndara qartë, kush luftonte dhe kush bashkëpunonte. Në këtë listë, janë grupe sigurime dhe banda, që bashkëpunonin me gjermanët. Te pika ‘b’ janë trupat pritës, 500-3000 është forca që ka Abaz Kupa. Më poshtë, janë 77 çeta të Ballit Kombëtar, me rreth 15 600 burra. Jepet edhe rajoni, ku ata luftojnë.
Kjo është analiza sasiore e gjermanëve?
Po, madje duhet theksuar se për të gjithë këto trupa, në ditarin luftarak të forcave gjermane janë të pasqyruara edhe më tej.
Këto shifra pse janë të besueshme?
Nuk ka komandat që gënjen dot, sepse ose i ke njerëzit në rresht, ose nuk i ke. Sa i përket këtyre forcave, janë të sakta, sepse janë forca që ushqeheshin nga gjermanët. Armatoseshin, visheshin, ushqeheshin nga gjermanët, prandaj janë në forcë.
Fraksion.com