AktualitetBota+Të fundit

Natanyahu, mbyll turin evropian mbi Iranin; Takim me Theresa May

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke mbyllur turneun evropian,  takohet me Kryeministren britanike Theresa May të mërkurën në Londër. Ai synonte të bindte udhëheqës në Evropë të ndryshojnë marrëveshjen me Iranin.

Netanyahu filloi turneun të hënën me Gjermaninë, ku paralajmëroi Kancelaren Merkel se me veprimet e tij në Lindjen e Mesme Irani mund të shkaktojë dyndje masive refugjatësh drejt Evropës. Në Francë, të martën, ai u shpreh se është i vendosur të sigurohet se “Irani nuk ka armë bërthamore”.

Presidenti francez, Manuel Macron tha se Franca do të vazhdojë të punojë me Planin e Përbashkët për Veprim, që ai tha se e konsideron si mënyrën më të mirë për të kontrolluar Iranin.

“Plani nuk është i mjaftueshëm, jam plotësisht dakord, por mendoj se është më i mirë se situata që ekzistonte përpara,” tha zoti Macron duke shtuar se nuk beson se duke dalë nga marrëveshja do të përmirësohet situata rajonale e sigurisë.

Britania, Franca dhe Gjermania hynë në marrëveshje me Iranin, të cilën e nënshkruan edhe Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump njoftoi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin nga kjo marrëveshje, të cilën e cilësoi “të tmerrshme dhe të njëanshme” dhe shtoi se synon të vërë kufizime shtesë mbi programin iranian të raketave dhe ato që i quajti “veprime destabilizuese në Lindjen e Mesme”.

Vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes janë shprehur se duan ta ruajnë marrëveshjen, duke thënë se po funksionon. Britania, Franca dhe Gjermania janë shprehur se shqetësimet ekzistuese duhet të zgjidhen me një marrëveshje shtesë.

Ashti si Presidenti Trump, Netanyahu ka qenë një kritik i fortë i marrëveshjes, duke thënë se ajo i lejon Iranit mundësinë të zhvillojë me shpejtësi një armë bërthamore kur të skadojnë kufizimet.

Irani siguroi lehtësime të sanksioneve në shkëmbim për kufizimin e programit bërthamor. Teherani ka thënë se programi i tij ka vetëm synime paqësore.

Ministri i Jashtëm Iranian iranian Javad Zarif e cilësoi të paligjshëm vendimin amerikan për t’u tërhequr nga marrëveshja dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të mos ndjekin këtë shembull. Sipas medias shtetërore iraniane, Zarif u ka dërguar një letër ministrave të jashtëm të vendeve të tjera, duke u kërkuar që të “kompensojnë” humbjen që do të vuajë Irani nga dalja e Amerikës nga plani përbashkët, në mënyrë që të shpëtohet kjo marrëveshje.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com