AktualitetBota+Të fundit

Aeon marrëveshje prej 14 milionë dollarësh me USSOCOM për sistemin raketor “Zeus” që lëshohet nga supi

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së (USSOCOM) i ka dhënë kompanisë “Aeon Industrial” një kontratë prej 13,8 milionë dollarësh për të zhvilluar, testuar dhe filluar prodhimin në shkallë të kufizuar të sistemit të saj raketor “Zeus”.

Marrëveshja përfshin përmirësime të armatimit, punën fillestare për sigurinë dhe certifikimin, si dhe dërgesat në kuadër të fazës fillestare të prodhimit të kufizuar.

Aeon deklaroi se ky projekt do të vlerësojë gjithashtu se si “Zeus” mund të përshtatet për misione të tjera dhe të integrohet me platforma të ndryshme lëshimi.

Ky projekt bazohet në dy vite zhvillim të financuar nga vetë kompania dhe shënon fazën tjetër të punës në kuadër të një kontrate zyrtare me USSOCOM.

“Operativët specialë kanë nevojë për sisteme precize që mund të evoluajnë po aq shpejt sa edhe fushëbeteja,” tha Dean Love, shefi i strategjisë në Aeon. “Kërcënimet ndryshojnë me shpejtësi dhe operativët nuk mund të presin vite të tëra për një sistem të ri armatimi sa herë që ndryshon misioni.”

Për të zgjeruar kapacitetet e saj inxhinierike dhe prodhuese, Aeon po ndërton gjithashtu një objekt prodhimi pranë Austin, Teksas. Ky vend pritet të shërbejë për punën lidhur me “Zeus” dhe sistemet e tjera të armatimit taktik të kompanisë.

Sistemi Raketor “Zeus”

“Zeus” është një sistem taktik modular armatimi, i krijuar për të ofruar aftësi goditjeje precize në një format kompakt.

Versioni i tij që lëshohet nga supi peshon afërsisht 20 paund (9,07 kilogramë) dhe ka një gjatësi prej 30 inçësh (72 centimetra), çka e bën të përshtatshëm për përdorim në mjedise të ngushta dhe urbane.

Dizajni i tij modular u mundëson operativëve të ndërrojnë kokën luftarake dhe sistemin e kërkimit (sensorin) për t’iu përshtatur objektivave të ndryshme.

“Zeus është projektuar duke pasur në qendër operativin; kështu, koka luftarake, sistemi i kërkimit dhe efekti mund të ndryshojnë, ndërsa baza e armës mbetet e njëjtë,” tha Love.

Sistemi përdor gjithashtu softuerin e shënjestrimit “ODIN” të Aeon, i cili, sipas kompanisë, mund të identifikojë dhe gjurmojë objektiva të mundshëm. Veçoritë e tij përfshijnë gjurmimin e vazhdueshëm, rifitimin e objektivit pas një fshehjeje të përkohshme, si dhe përditësime softuerike që mund të kryhen edhe në zona të avancuara operacionale. Megjithëse kontrata e fundit përqendrohet te konfigurimi për shkrepje nga shpatulla, Aeon deklaroi se Zeus mund të përdoret gjithashtu për lëshime nga automjete, mjete lundruese dhe dronë.

 

Fraksion.xom

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com