Një zhvillim i ri ka tronditur politikën në Hungari. Áron Orbán, vëllai i ish-kryeministrit Viktor Orbán, është arrestuar nën dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore, sipas njoftimit të kryeministrit aktual, Péter Magyar.
Lajmin e bëri publik vetë Magyar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku iu referua raportimeve të mediave për arrestimin e vëllait të paraardhësit të tij. Sipas tij, hetimet po vijojnë nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Emri i Áron Orbánit është përmendur më herët në një hetim për një skemë të dyshuar të paligjshme të sigurimit të vizave dhe lejeve të qëndrimit për shtetas të huaj, kryesisht nga Vietnami. Sipas raportimeve të mediave hungareze, kompania e lidhur me të dyshohet se ka ndihmuar shtetas vietnamezë të përfitonin viza hungareze dhe, rrjedhimisht, mundësi udhëtimi në zonën Shengen, përmes regjistrimit në një kurs dyditor në Universitetin e Pécsit.
Dyshimet lidhen me një grup që pretendohet se premtonte sigurimin e lejeve të qëndrimit për punë, duke përdorur lidhjet me persona me ndikim në politikë dhe administratë, kundrejt pagesave. Në një çështje të lidhur me rekrutimin e punëtorëve të huaj, autoritetet kanë bërë të ditur se katër persona janë marrë të pandehur, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar. Sipas raportimeve, vëllai i Viktor Orbánit nuk figuron mes këtyre katër të dyshuarve.
Pas publikimit të lajmit, ish-kryeministri Viktor Orbán reagoi në rrjetet sociale, duke e cilësuar zhvillimin si një përpjekje për të goditur politikisht atë vetë.
“Objektivi jam unë, vëllai im është vetëm një mjet”, shkroi Orbán, duke akuzuar qeverinë e re se po përdor institucionet për një përballje politike dhe jo për të vendosur përgjegjësi.
Fraksion.com