“Dorëheqjen time nuk e imponojnë dot ata nga rruga”/ Rama sulmon sërish protestuesit: Ndikohen nga Irani! Molotovët, këngët kërcënuese dhe gurët…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se dorëheqja e tij nuk mund të imponohet nga protestuesit në rrugë. Gjatë konferencës për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, Rama i cilësoi molotovët, gurët dhe këngët kërcënuese si elemente që, sipas tij, largojnë vëmendjen nga procesi i integrimit europian.
“Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre në protestë është reale. Nuk isha unë apo një përfaqësues shqiptar, por një nga personalitetet e Francës që para pak ditësh tha shprehimisht që Shqipëria ka qenë pjesë e një lufte hibride. Nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duart e tij janë në bulevard dhe janë me fakte”, u shpreh kryeministri.
Rama pretendoi gjithashtu se struktura digjitale iraniane, të cilën e cilësoi si aktive në shpërndarjen e videove me zogj, ishte përfshirë edhe në Francë.
“Çuditërisht, ushtria digjitale iraniane, e identifikuar si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit. Këto janë fakte”, deklaroi Rama.
Fraksion.com

