Berisha: Raporti i KE-së damkos Ramën, Shqipëria, ndryshe nga Mali i Zi është “diktaturë autoritare”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një dokument të paprecedentë dhe me kritika të rënda ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se raporti nxjerr në pah përqendrimin e pushteteve, problemet me zgjedhjet dhe dobësimin e kontrollit parlamentar.
“Shqipëria, krahasuar me Malin e Zi, është një diktaturë autoritare”, deklaroi Berisha, duke iu referuar vlerësimit të tij për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend. Sipas kreut të PD-së, Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, mes të cilave reformën zgjedhore, rikthimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimin e dëmtimit të zonave të mbrojtura.
Berisha ia atribuoi drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për problematikat e evidentuara në raport. Ai e akuzoi atë për ndërhyrje në procesin zgjedhor, përqendrim të pushteteve, përdorim të burimeve publike gjatë fushatave dhe lidhje me grupe kriminale për ndikimin në zgjedhje.
“Jam sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve e raportit më të rëndësishëm kombëtar vjetor për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare dhe institucionet e këtij vendi.
Së pari, më thjeshtoi shumë paraqitjen para jush, e shkurtova sepse atë që lexuan shqiptarët në fytyrën e Edi Ramës, ajo flet më shumë se vetë raporti i Komisionit.
Flet për shkallën e lartë të kryqëzimit të tij. Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjës kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit. Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare.
Unë përshëndes ata, mbi bazën e informacioneve të të cilëve është hartuar ky raport, por edhe ata që kanë hartuar raportin.
Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, nga të cilat disa të karakterit më urgjent siç janë reforma zgjedhore, kthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtur.
Që të gjitha këto kanë autor dhe krye-autor Padrinon e Shqipërisë.
Është ai, i cili me ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, lejoi organizimin dhe organizoi vetë 4530 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit shqiptarë.
Është ai, i cili që nga viti 2020 gjer sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 përqind të pushteteve në vend.
Është ai, i cili për të mbetur në karrige, arrestoi në vitin elektoral liderëve e partive kryesore opozitare dhe të partisë së tretë e vendosi në ndjekje penale.
Është ai, i cili për të blerë votat, shpërndau në kulmin e fushatës elektorale 100 euro për çdo pensionist.
Është ai, Edi Rama dhe asnjë tjetër, i cili për të mbajtur me çdo kusht mandatin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2.1 miliardë gjoba dhe kamata.
Është ai që ka organizuar ushtrinë e terroristëve politikë elektoralë.
Është ai, dhe asnjë tjetër, që aktivizoi të gjitha kartelet e drogës dhe organizatat kriminale me Gysin e tij për të futur në parlament 28 deputetë të krimit.
Është Edi Rama që vendosi të licencojë 138 licenca për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis drogë për votë.
Është Edi Rama arkitekti i shkeljes së parimit më themelor të zgjedhjeve të lira, barazisë në garë.
Raporti e damkos prandaj edhe i kishte rënë një nur i zbehtë në të zi!
E dëgjuat dje apo jo? Dje tha, ky është raporti më i mirë që ka dalë nga Brukseli, por sot i kishte rënë… se nuk po dua të përdor atë fjalë që nuk më shkon mua.”, tha ai.
Fraksion.com

