AktualitetBota+Të fundit

Departamenti i Drejtësisë ngre akuza për herë të tretë ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey

Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza penale ndaj James Comey-t lidhur me një pretendim më shumë se dhjetëvjeçar, sipas të cilit ai urdhëroi stafin e tij të nxirrte informacione të klasifikuara për një gazetar. Kjo është hera e tretë që prokurorët ngrenë akuza penale kundër ish-drejtorit të FBI-së.

Comey akuzohet se ka nxjerrë një dokument të ndjeshëm që lidhet me sigurinë kombëtare, në kohën kur ishte drejtor i FBI-së në tetor të vitit 2016. Kjo bëhet e ditur nga dokumentet gjyqësore të bëra publike të hënën. Avokatët e tij theksuan se këto pretendime janë hetuar më parë, por pa çuar në ngritjen e akuzave.

“Do të ishte pothuajse qesharake, nëse nuk do të ishte një abuzim kaq skandaloz me Departamentin e Drejtësisë – diçka ndaj së cilës nuk duhet të bëhemi indiferentë,” tha Comey në një video të postuar në rrjetet sociale.

Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë sqaron se dokumenti në të cilin përfshihen dy akuzat – i njohur si “informacion” (një lloj akti procedural) – nuk përbën ende një akuzë përfundimtare; ata nuk kanë paraqitur ende akuzat e tyre zyrtare kundër Comey-t. Sipas një zyrtari të departamentit, ky veprim synon të zgjasë afatin 10-vjeçar për ngritjen e akuzave sipas Ligjit për Spiunazhin (Espionage Act) ndaj ish-drejtorit të FBI-së, afat i cili skadoi në fillim të këtij muaji.

“Paraqitja e një ‘informacioni’ penal për të pezulluar afatin e parashkrimit është një praktikë e njohur gjerësisht në gjykatat federale dhe është miratuar nga disa Gjykata Apeli të Qarkut,” tha zyrtari i Departamentit të Drejtësisë. “Ky është një hetim penal në vazhdim dhe ne nuk do të komentojmë më tej.”

Në fund, do të jetë një gjykatës ai që do të vendosë nëse veprimi i Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur penalisht Comey-n, pas skadimit të afatit të parashkrimit, është i vlefshëm. Në fillim të këtij muaji, Comey kërkoi pushimin e çështjes, duke argumentuar se aktakuza duhet të ishte ngritur brenda 10 viteve dhe se dokumenti i paraqitur nga Departamenti i Drejtësisë nuk është i mjaftueshëm.

Dosja u bë publike të hënën, por dokumentet përmbajnë shumë pak detaje mbi atë që prokurorët pretendojnë konkretisht.

I pyetur për akuzat e reja gjatë kthimit të tij në Uashington, D.C., nga një tubim në Misisipi, Presidenti Donald Trump tha se nuk dinte asgjë për këtë çështje.

“Nuk di shumë për këtë. Sapo dëgjova për të,” tha Trump, sipas një raportimi nga grupi i gazetarëve që e shoqëronin. “Unë mendoj se ai është një zyrtar i korruptuar, James Comey, por nuk di asgjë rreth kësaj.” Polemikat lidhur me pretendimet për rrjedhje informacioni drejt gazetës “The New York Times” nisën që në ditët e para të administratës së parë të Trumpit. Pasi u shkarkua nga posti i drejtorit të FBI-së nga Trumpi, Comey ndau me ekipin e tij të paktën një shënim që përshkruante bisedat e tij me presidentin. Më pas, ky informacion iu përcoll një gazetari të “The New York Times”.

Akuzat ndaj sjelljes së Comey-t kanë qenë në qendër të hetimeve të shumta, përfshirë ato të kryera nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë dhe nga Prokurori Special John Durham, i cili u caktua për të shqyrtuar zanafillën e hetimit federal mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Durham ngriti akuza kundër tre personave të lidhur me këtë hetim; ndonëse ai kritikoi disa nga vendimet e marra nga Comey dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, Durham nuk gjeti prova që do të mbështesnin ndjekjen penale ndaj tyre.

Comey përballet gjithashtu me një akuzë të veçantë penale në Karolinën e Veriut, ku akuzohet se ka kërcënuar Trumpin duke postuar, pranverën e kaluar në rrjetet sociale, një fotografi të guaskave në rërë, të renditura në mënyrë që të formonin shifrat “8647”. Një çështje e mëparshme kundër Comey-t, lidhur me dëshminë e tij para Kongresit mbi rrjedhjet e informacionit në media, u hodh poshtë nga një gjykatës vitin e kaluar.

“Kjo është një përdorim i çuditshëm, dhe ndoshta i papërshtatshëm, i një ‘akt-akuze’ (të njohur si *information* në terminologjinë ligjore amerikane), me qëllim anashkalimin e afatit të parashkrimit,” – u shpreh të hënën Elie Honig, ish-prokuror federal dhe analist i lartë ligjor në CNN. “Zakonisht, një procedurë e tillë kërkon pëlqimin e të pandehurit – gjë që Comey nuk e ka dhënë në këtë rast. Për pasojë, ka gjasa që kjo të mos mund ta zgjasë afatin e parashkrimit, i cili do të kishte skaduar më 5 tetor 2026.”

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com