AktualitetRajoniTë fundit

Vuçiq pranon humbjen në zgjedhje, festë në rrugë

Ish-presidenti i Serbisë dhe bartësi i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të dielën se lista e tij i ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke thënë se, sipas vlerësimeve të bazuara në një mostër votash, lista e “studentëve dhe bllokuesve” do të fitojë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa lista e tij do të ketë rreth 105 deputetë, raporton Anadolu.

Vuçiq deklaroi se do të veprojë si opozitë, duke theksuar se detyra e tij është të sillet me përgjegjësi dhe se nuk dëshiron trazira dhe përplasje në rrugë.

“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Bazuar në mostrën e votave, është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje, ka fituar lista e studentëve dhe bllokuesve”, tha Vuçiq.

Sipas tij, lista që ai drejton ka fituar rreth 1,72 milion vota, ndërsa Lista Studentore ka marrë rreth 2,2 milionë vota.

“Ata do të kenë nga 135 deri në 140 mandate, ne rreth 105. Askush tjetër nuk ka hyrë në kuvend. Kanë hyrë hungarezët e Vojvodinës me tri mandate dhe shqiptarët me një mandat. Ne kemi rreth 1,72 milion vota, ndërsa ata rreth 2,2 milionë. Do të kemi 100 deri në 105 deputetë. Do të luftojmë dhe do t’u tregojmë se çfarë do të thotë të jesh opozitë”, tha ai.

Duke folur për rezultatet zgjedhore, Vuçiq akuzoi vende të ndryshme evropiane dhe një pjesë të administratës amerikane, për të cilën tha se kundërshton presidentin amerikan Donald Trump, se kanë mbështetur atë që ai e cilësoi si revolucion me qëllim rrëzimin e një vendi sovran.

“I përgëzoj, edhe pse ata janë vetëm zbatues të punëve të pista që disa të tjerë i kanë planifikuar për të rrëzuar një vend sovran”, tha Vuçiq.

“Ata na rrëzuan. Dua që njerëzit ta dinë se kjo ishte një vërtetim i revolucionit që ata e realizuan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të vendeve të ndryshme evropiane dhe të një pjese të ‘shtetit të thellë’ amerikan, asaj pjese që është kundër presidentit Trump. Jam mirënjohës. Ne kemi fituar kudo ku jetojnë serbët, pra në rajon, në Republikën Sërpska, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi më tej Vuçiq.

Vuçiq paralajmëroi gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke pretenduar se ato do të vendosen deri në mars ose prill të vitit të ardhshëm.

“Nuk do të kalojë marsi ose prilli pa u vendosur sanksionet ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.

Duke folur për hapat e ardhshëm politikë, ai tha se kuvendi i ri mund të formohet brenda dhjetë deri në 15 ditësh, pas së cilës mund të vijojë formimi i qeverisë.

Ai shprehu bindjen se do të formohet një qeveri, siç e quajti ai, “joeksperte”.

Në fund të fjalimit, Vuçiç tha se subjekti i tij politik do të vazhdojë luftën dhe se beson se do ta “mposhtë këtë të keqe më shpejt nga sa mendojnë ata”.

Deri në orën 19:00, pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte 67,8 për qind. Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja deri në të njëjtën orë ishte 55,5 për qind.

Gjatë ditës së zgjedhjeve, u regjistruan një numër i madh parregullsish të veçuara, si dhe fotografime të fletëvotimeve në 48 për qind të qendrave të votimit, më së shumti në Beograd (79 për qind) dhe në Vojvodinë (58 për qind), njoftoi misioni vëzhgues Crta.

Pas një mëngjesi të qetë, numri i incidenteve të veçuara të dhunshme jashtë qendrave të votimit u rrit në Beograd, Pançevë, Vranjë dhe Novi Sad. Pasdite, në qendër të Beogradit u vunë re automjete të xhandarmërisë të pajisura për shpërndarjen e demonstratave.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u shpallën më 9 shtator nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare, bazuar në propozimin e arsyetuar të Qeverisë së Serbisë të datës 7 shtator.

Këto janë zgjedhjet e 15-ta parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi në vitin 1990 dhe zgjedhjet e dhjeta të parakohshme.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor 2023.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com