AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Qytetarët të ngrihen dhëmb për dhëmb kundër Ramës, PD mbështet revoltën studentore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli sot në mbështetje të revoltës studentore si i quajti ai protestat që kanë përfshirë Tiranën ditët e fundit.

Në bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ai e cilësoi protestën e djeshme si një ditë në të cilën qytetarët dhe studentët triumfuan.

“Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata.
Se ata janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre kundër një narkodiktatori dhe institucioneve të narkoshtetit që i detyron me vjedhjet, krimin, të largohen nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se revolta studentore vjen si thirrje në momentet më kritike të kombit. Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk ka humbur 47 përqind, ndoshta edhe më shumë, të banorëve të tij në Shqipëri”, theksoi ai.

“Ndaj dhe dje, së bashku me ta, protestuan mijëra e mijëra qytetarë të thirrur nga PD, sindikatat e arsimit, sindikatat e minatorëve, urdhrat e arkitektëve, inxhinierëve, etj.
Ishte madhështore!”, u shpreh Berisha.

Ai iu përgjigj edhe reagimeve kundër tij në protestë.

“Ne e kemi deklaruar që në fillim që qëndrojmë dhe do qëndrojmë në mbështetje të kësaj proteste me të gjithë potencialin tonë. Ata, të cilët mendojnë se do na impresionojnë ne, se po mbështesim protestën, ata gënjejnë veten. Mbështetja jonë ndaj protestës është totale”, tha Berisha duke pohuar se të rinjtë e Partisë Demokratike kanë qenë pjesë aktive e saj.

I pyetur në lidhje me dhunën policore në protestë, Berisha tha se ‘Shqiponjat’ dhe RENEA do shkrihen dhe do shkojnë aty ku e meritojnë për krimet që kanë kryer.

Ndërsa në lidhje me masat e njoftuara sot nga kryeministri Rama sa i takon dhunës urbane, Berisha tha se qytetarët duhet të mos njohin asnjë prej tyre, por të ngrihen dhëmb për dhëmb kundër Ramës.

“Edhe e deklaroj këtu që s’ka ligj as forcë në botë që do mund të pengojë Partinë Demokratike për të përmbushur misionin e saj, largimin e tij, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira e të ndershme. Kërkesa këto të fuqishme, të drejta, të revoltës studentore”, përfundoi Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com