Dy javë protesta intensive të studentëve, Rama mbledh grupin parlamentar të PS-së
Në një kohë kur Shqipëria po përballet prej dy javësh me protesta intensive të studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e grupit parlamentar.
Teksa mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë e Kryesisë së Kuvendit për të marrë pjesë në takimin me deputetët socialistë.
Takimi zhvillohet në një moment tensionesh të forta politike dhe shoqërore, ndërsa protestat studentore, të nisura më 13 tetor, janë shtrirë në disa qytete të vendit, duke u shoqëruar me përplasje me policinë dhe thirrje për largimin e qeverisë.
Studentët kanë refuzuar deri tani ftesat e kryeministrit për dialog, duke këmbëngulur se dorëheqja e tij mbetet kërkesa kryesore e protestave. Ndërkohë, ditët e fundit janë shënuar edhe lëvizje në drejtimin e institucioneve shtetërore, pas kërkesës së Ramës për dorëheqjen e një sërë drejtuesish të administratës.
Ftaksion.com

