AktualitetBota+Të fundit

Burime: Trump po shqyrton shkarkimin e Kimberly Guilfoyle pas raportimeve për sjellje të pahijshme

Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh për sjellje të pahijshme, tha të dielën një person i njohur me çështjen.

Trump ka ndjekur raportimet sipas të cilave Guilfoyle – e cila ka qenë e fejuar me djalin e madh të Trump, Donald Trump Jr., për katër vjet – pranoi dhurata luksoze gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe kërkoi para në këmbim të mundësimit të kontakteve me figura të administratës, madje edhe para se të konfirmohej në detyrë.

Këto raportime kanë shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët e lartë të administratës, veçanërisht pasi ato dolën në pah pikërisht kur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po vizitonte Athinën për të mbajtur një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, të mbajtur në Akropol.

Trump pritet të vendosë së shpejti nëse do ta shkarkojë Guilfoyle-n, tha burimi. Presidenti nuk e mbrojti Guilfoyle-n kur u pyet nga CNN të premten lidhur me këto akuza.

“Sapo dëgjova për këtë. Është për të ardhur keq. Domethënë, nuk e di,” tha Trump. “Kam dëgjuar vetëm pak gjëra. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme.”

CNN i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment.

Eric Deters, një ish-donator i Trump, tha se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi t’i transferonte 100,000 dollarë për të shlyer një kartë krediti “American Express”, pak ditë para konfirmimit të saj nga Senati. Në fund, Deters nuk ia transferoi paratë Guilfoyle-s, duke thënë se nuk kishte likuiditet në atë kohë.

Një avokat i ambasadores i tha gazetës “Wall Street Journal” – e cila raportoi e para për mesazhet – se Guilfoyle e kontestonte vërtetësinë e tyre.

Javën e kaluar, Guilfoyle u tha zyrtarëve të administratës se nuk i kishte dërguar ajo ato mesazhe, sipas burimit të informuar.

Guilfoyle ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., ajo mori detyrën prestigjioze në Greqi.

Aleatë të presidentit dhe të birit të tij i thanë CNN-it se e konsiderojnë këtë episod si të sikletshëm, ndonëse nuk është e qartë nëse do të ketë pasoja për Guilfoyle-n. Trumpi e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se nuk është i kënaqur kur aleatët përfitojnë nga marrëdhënia e tyre me të.

Të premten, nënkryetari JD Vance u përmbajt nga dhënia e një gjykimi nëse duhet të ketë pasoja për Guilfoyle-n, duke thënë se refuzonte t’i “gjykonte njerëzit në gjykatën e opinionit publik”.

Megjithatë, nënkryetari tha se, në përgjithësi, ndihej i pakënaqur me praktikat ku aksesi sigurohet kundrejt pagesës. “Sigurisht që nuk më pëlqen kur dikush shet akses te një zyrtar tjetër qeveritar, e aq më tepër te një zyrtar i lartë qeveritar,” tha ai.

“Le të shohim se cila është e vërteta. Dhe natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e keqe, atëherë njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi për të,” tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com