Kosova zgjodhi presidenten pas marrëveshjes së minutës së fundit që përfshiu Ligjin për Specialen
Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota.Kundërkandidate e saj ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Votimi nisi në minutat e fundit para mesnatës dhe përfundoi pas skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Para votimit për presidente, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përmbyllur procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga PDK-ja.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e fundit të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e LVV-së që Justina Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente.
Gjatë pjesës më të madhe të ditës, partitë nuk arritën të gjenin rrugëdalje,ndërsa protestat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara vazhduan edhe gjatë 6 tetorit, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë një ditë më parë.
Zgjedhja e Shiroka Pulës i jep fund një periudhe gjashtëmujore gjatë së cilës detyrën e presidentes e ushtroi Albulena Haxhiu.
Hamza: Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik dhe institucional
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përshëndeti miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë ta pengojmë drejtësinë. Ne dëshirojmë që UÇK-së t’i garantohet drejtësi. Çdo krim që ka ndodhur, le të luftohet”, tha Hamza, duke falënderuar deputetët që votuan për ndryshimet ligjore.
Për Shiroka Pulën, ai tha se është “një përfaqësuese e denjë për pozitën e presidentes” dhe i garantoi bashkëpunim në emër të PDK-së.
“Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik dhe institucional”, tha Hamza.
Seanca e jashtëzakonshme mbyll punimet
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar punimet.
Gjatë saj, deputetët miratuan në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjodhën Justina Shiroka Pulën presidente të Kosovës.
Shiroka Pula: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.
Shiroka Pula u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës./REL
Fraksion.com


