Spahiu uron studentët e Mjekësisë: Pa humanizëm nuk do të jeni kurrë mjekë të mirë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu uroi sot studentët e Mjekësisë me rastin e nisjes së vitit të ri akademik 2026–2027, duke i inkurajuar ata të ruajnë humanizmin dhe përkushtimin gjatë rrugëtimit të tyre profesionale.
Duke iu drejtuar studentëve, Spahiu kujtoi fillimet e saj në profesion, duke theksuar se rruga drejt mjekësisë është e gjatë, e bukur, por edhe e lodhshme e kërkuese.
“Më shumë se tri dekada më parë edhe unë kam nisur këtë rrugëtim. Sot jam në këtë pozicion, por nuk harroj kurrë momentet kur kam filluar këtë rrugë, që është e gjatë, e bukur, e lodhshme dhe shumë e mundimshme. Ju do të bëheni profesionistë shumë të mirë”, u shpreh Spahiu.
Ministrja theksoi se përtej përgatitjes profesionale, humanizmi është një nga elementët themelorë për një mjek të mirë.
“Por, nëse ju nuk keni brenda vetes pak humanizëm, asnjëherë nuk do të jeni mjekë të mirë”, tha ajo.
Spahiu vuri në dukje edhe sfidat e reja që sjell zhvillimi i teknologjisë në mjekësi.
“Mjekësia ka shumë sfida dhe në kohën që jetojmë sot, pa dyshim që teknologjia, inteligjenca artificiale, pajisjet e reja janë një hap që na ndihmon shumë në këtë rrugëtim. Për fatin tonë të madh, ju do të jeni brezi që do të keni gjithçka për ta vënë në shërbim të dijes suaj”, u shpreh ministrja.
Ajo u kërkoi studentëve të vijojnë me të njëjtin intensitet dhe përkushtim edhe gjatë viteve të studimit dhe ushtrimit të profesionit, duke ruajtur standardet e larta profesionale.
“Nëse doni që këtë rrugëtim që keni sot ta vazhdoni me të njëjtin intensitet sa jeni lodhur për të ardhur këtu, aq duhet të lodheni çdo ditë për ta mbajtur dhe ruajtur profesionalizmin tuaj”, tha Spahiu.
Ministrja Spahiu theksoi rëndësinë e profesionit të mjekut dhe kontributit që brezi i ri do të japë për shëndetësinë në vend.
Fraksion.com

