AktualitetTë fundit

Plani i mbrojtjes ndalon ndërtimet e reja në Vuno

Qendra historike e Vunoit, fshatit piktoresk të Rivierës Shqiptare, do të mbrohet me shpallen e saj pasuri kulturore e paluajtshme, ndërsa vendimi i qeverisë përcakton zonën e mbrojtur si dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e qendrës historike dhe zonës përreth.

Sipas këtij vendimi Qendra Historike e Vunoit ndahet në dy zona. Zona I përfshin ndërtimet në të dyja anët e rrugës nacionale, ndërsa Zona II përmbledh pjesën në jug të fshatit, ku përfshihen Kisha e Shën Spiridhonit, shkolla dhe Kisha e Shën Mëhillit.

Mbrojtja përfshin jo vetëm ndërtesat historike, por edhe banesat tradicionale, objektet e kultit, hapësirat e gjelbra, sheshet, peizazhin dhe rrugët karakteristike me kalldrëm.

Vendimi ndalon ndërtimet e reja në Qendrën Historike, përveç ndërhyrjeve të parashikuara për restaurim, rikonstruksion dhe rehabilitim të strukturave ekzistuese. Restaurimi dhe rindërtimi duhet të ruajnë karakterin tradicional të Vunoit, përfshirë materialet, ngjyrat, tipologjinë, volumetrinë, elementet origjinale dhe teknikat tradicionale të ndërtimit.

Në vendim përcaktohet edhe mënyra e ndërtimit të çative tradicionale: duhet të ruhen çatitë 4 ujëse, pjerrësi 25-30 gradë dhe tjegulla vendi me ngjyrë të kuqe, në harmoni me peizazhin kulturor të zonës.

Në zonën mbrojtëse lejohen edhe ndërtime të reja, por ato duhet të jenë në harmoni me arkitekturën dhe peizazhin tradicional. Për ndërtesat e reja në zonën mbrojtëse përcaktohet maksimumi 2 kate dhe 6,5 metra lartësi deri në kornizën e çatisë, duke respektuar edhe mesataren e ndërtesave përreth.

Ndalohet ndërtimi i strukturave industriale dhe guroreve si në qendrën historike, ashtu edhe në zonën mbrojtëse. Në qendrën historike ndalohen gjithashtu struktura të cilat mund të paraqesin rrezik dhe terrene sportive mbi 220 m².

Ndërhyrjet në Monumentet e Kulturës të kategorive I dhe II kufizohen te mirëmbajtja, konservimi, restaurimi dhe rijetësimi, që nuk cenon vlerat e tyre.

Projektet e restaurimit dhe ndërhyrjeve duhet të hartohen nga institucionet ose profesionistë të licensuar dhe të shqyrtohen e miratohen nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Bashkia Himarë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com