Kryeministri izraelit: Është ende herët për të përcaktuar motivin e sulmit në fluturimin Dubai-Tel Aviv
Është ende herët për të thënë pse një pilot goditi me thikë një pilot tjetër dhe u përpoq të merrte kontrollin e një fluturimi nga Dubai në Tel Aviv, ka deklaruar kryeministri i Izraelit.
Avioni i kompanisë “Flydubai” humbi papritur lartësi prej më shumë se 5,200 metrash (17,000 këmbë) dy orë pas nisjes së udhëtimit të mërkurën, gjatë incidentit, përpara se pasagjerët dhe ekuipazhi të neutralizonin sulmuesin dhe të rimerrnin kontrollin për të kryer një ulje të sigurt.
Piloti i goditur me thikë, shtetasi indian Kapiteni Smit Machchhar, ndodhet aktualisht në spital në gjendje të qëndrueshme dhe është cilësuar si një “hero i vërtetë” nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Një pasagjer, Yaniv Hayun, përshkroi se si e kapi sulmuesin – i cili po përpiqej të neutralizonte avionin – duke e shtrënguar në fyt, përpara se pasagjerë të tjerë të ndihmonin për ta mbajtur atë të palëvizshëm.
I dyshuari si sulmues u arrestua në Arabinë Saudite, por pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi nga ku u nis avioni, tha Netanyahu për Fox News.
I pyetur nëse kishte ndonjë shenjë të përfshirjes së Iranit, ai u përgjigj: “Është ende herët për ta thënë”.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se kishte biseduar me Netanyahun pas incidentit, duke shtuar se dukej sikur sulmuesi ishte “ndoshta një terrorist” ose se kishte arsye të tjera pas sulmit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka cilësuar gjithashtu incidentin si një “tentativë për sulm terrorist xhihadist”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Netanyahu i tha CNN-it se Izraeli nuk kishte pasur asnjë paralajmërim apo informacion paraprak të inteligjencës lidhur me incidentin në avion, i cili po transportonte 174 persona drejt Izraelit.
Fluturimi FZ1073 i “Flydubai” u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe në orën 03:05 GMT (07:05 me orën lokale), me destinacion Aeroportin Ben-Gurion. Dy orë më vonë, rënia e lartësisë me 17,000 këmbë (rreth 5,180 metra) u raportua në faqen e internetit për gjurmimin e fluturimeve “Flightradar24” dhe, pak minuta më pas, avioni dha sinjalin e kodit të urgjencës “squawk 7700”, përpara se ta ndryshonte atë në kodin “squawk 7500”, që tregon për rrëmbim të avionit.
Rreth 20 minuta pas dhënies së këtyre kodeve, avioni filloi zbritjen manuale për t’u ulur në Arabinë Saudite. Më pak se një orë më vonë, avioni kaloi sërish në kodin “squawk 7700”.
Dëshmitë okulare dhe një deklaratë e Netanyahut konfirmuan se njëri nga pilotët kishte goditur me thikë tjetrin dhe, sipas kryeministrit izraelit, “me sa duket u përpoq ta rrëzonte” avionin.
Një pasagjer, Hayun, përshkroi se si ai dhe të tjerët në bord e kishin neutralizuar sulmuesin.
“Piloti që u godit me thikë ndodhej shumë pranë derës, ndaj e kishim të vështirë ta hapnim atë,” tha Hayun në një video të publikuar në rrjetet sociale nga zyra e kryeministrit; megjithatë, para se të shembej përtokë, piloti i goditur arriti ta hapte derën.
Yaniv tregoi se e kishte kapur sulmuesin – i cili po përpiqej ta nxirrte avionin jashtë kontrollit – duke e shtrënguar fort në fyt, përpara se pasagjerët e tjerë të ndihmonin për ta mbajtur atë të palëvizshëm.
Ai shtoi se kishte “tërhequr komandat” e avionit dhe, pasi avioni u stabilizua, një pilot tjetër mori kontrollin.
Kompania ajrore “Flydubai” konfirmoi se uljen e avionit e kryen dy anëtarë të ekuipazhit që ndodheshin në bord.
Zvika Meness, një tjetër pasagjer, i tha transmetuesit publik izraelit “Kan News” se ai dhe pasagjerët e tjerë e lidhën sulmuesin “me lidhëset e tij plastike dhe me kufjet multimediale”.
Ai tha: “Këtu ka fëmijë dhe familje që kanë kaluar një ngjarje shumë të rëndë dhe tejet traumatike.”
Netanyahu dhe lideri i Indisë, Narendra Modi, thanë se piloti i goditur me thikë, Machchhar, ishte një “hero”. “Pavarësisht se u godit me thikë dhe u plagos rëndë, ai luftoi, bëri rezistencë, hapi derën e kabinës së pilotit dhe u mundësoi pasagjerëve e ekuipazhit të neutralizonin sulmuesin, duke parandaluar kështu një katastrofë ajrore,” shkroi Netanyahu në platformën X.
Modi vlerësoi veprimet e pilotit, duke shkruar në X: “Përballë rrezikut ekstrem dhe pavarësisht plagëve të rënda, ai tregoi guxim të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur jetët e të tjerëve.”
Pasagjerët, të cilët ishin pothuajse të gjithë izraelitë, u dërguan në Tel Aviv me një fluturim tjetër më vonë gjatë së mërkurës.
Ata u pritën në aeroport nga turma njerëzish që luanin muzikë, këndonin, kërcenin dhe valëvisnin flamujt izraelitë.
Një numër personash ishin “shumë të emocionuar dhe po qanin ndërsa zbrisnin nga avioni,” tha për BBC-në një punonjës i shërbimit të urgjencës mjekësore nga Izraeli.
Kompania Flydubai deklaroi se “pati një përleshje në kabinën e pilotit” dhe se situata në fluturim u vu nën kontroll me sukses nga ekuipazhi i Flydubai që ndodhej në bord; ata ndryshuan itinerarin dhe e ulën avionin në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut.
Një zëdhënës i linjës ajrore shtoi: “Prioriteti ynë i menjëhershëm është të garantojmë sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e vazhdueshme të të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të përfshirë në këtë incident, si dhe të mbështesim hetimin zyrtar.”
Fraksion.com

