AktualitetEkonomiTë fundit

Energjia, KKTU hap rrugën për 535.7 MW kapacitete të reja, dominojnë fotovoltaikët

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka përfshirë në vetëm tre mbledhje një valë të gjerë projektesh të reja energjetike, ku pjesën më të madhe e zënë centralet fotovoltaike, duke reflektuar zhvendosjen graduale të investimeve drejt diversifikimit.

Në mbledhjet e 17 korrikut, 30 korrikut dhe 13 gushtit 2026, rendi i dites i KKTU-së përmbajn leje zhvillimi dhe ndërtimi për 29 projekte unike gjeneruese. Kapaciteti i instaluar i deklaruar për këto projekte arrin në të paktën 535.7 MW. Shifra, në fakt, nuk paraqet tablonë e plotë, pasi për disa hidrocentrale, një projekt eolik dhe disa impiante fotovoltaike dokumentet nuk japin fuqinë e instaluar.

Më shumë se gjysma e projekteve janë fotovoltaike. Nga 29 projektet unike, 16 janë impiante diellore, 11 janë hidrocentrale dhe dy janë projekte eolike. Vetëm projektet fotovoltaike për të cilat deklarohet kapaciteti përfaqësojnë 517.46 MW, ose pjesën dërrmuese të fuqisë së identifikueshme në tre mbledhjet. Hidrocentralet me kapacitet të deklaruar përfaqësojnë të paktën 15.238 MW, ndërsa projektet eolike të paktën 3 MW.

Projektet kalojnë në faza të ndryshme të zhvillimit. Për shembull, Twin Sun Solar Park me kapacitet 30 MW, Delta Plan Studio me 2 MW dhe Vodica Solar Park me 24 MW morën leje zhvillimi në mbledhjen e 17 korrikut dhe më pas leje ndërtimi në mbledhjen e 30 korrikut.

Projektet më të mëdha i përkasin diellorit

Projekti më i madh fotovoltaik në listën e tre mbledhjeve është Solen Energy, me kapacitet të instaluar prej 128 MW në Bashkinë Fier. KKTU e ka përfshirë projektin me leje ndërtimi në mbledhjen e 17 korrikut. Pas tij renditet Bocova Solar Park, gjithashtu në Fier, me 82 MW, për të cilin është dhënë leje zhvillimi.

Një tjetër projekt i madh është 3X Energy Sol Park, me kapacitet 70 MW në Bashkinë Lushnjë dhe me leje ndërtimi. Katërshen e projekteve më të mëdha e plotëson impianti i Fortis Energy & Construction, me 62 MW në Bashkinë Klos dhe leje ndërtimi.

Vetëm këto katër projekte përfaqësojnë së bashku 342 MW, ose rreth dy të tretat e kapacitetit fotovoltaik të identifikuar në listën e projekteve. Në grupin e projekteve të tjera të mëdha përfshihen edhe Saranda 1 me 50 MW, centrali i Greensol në Bistricë të Finiqit me 49.96 MW, si dhe Twin Sun Solar me 30 MW.

Vijojnë investimet në “hidro”

Paralelisht me zgjerimin e fotovoltaikëve, vijojnë edhe projektet e reja hidroenergjetike. Projekti me kapacitetin më të madh të deklaruar në këtë kategori është Ura e Tamarës, që përfshin HEC Kozhnjë 1, HEC Kozhnjë 2 dhe HEC Tamara, me fuqi të kombinuar prej 14.988 MW në Malësinë e Madhe.

Projekti figuron me leje ndërtimi në mbledhjen e 30 korrikut. Kapacitet të përcaktuar ka edhe HEC Rrësheni, me 250 kW ose 0.25 MW. Rendi i ditës i mbledhjeve përfshin gjithashtu HEC Viliq 1 & 2, HEC Olben, Kukur 3 dhe 4, Marinaj, Rehova, Marjan-Gura e Veshëve, Brushtrica 3, Zgallo 1 dhe 2 dhe hidrocentralet Orenjë Verri dhe Orenjë Katund, por pa përcaktuar kapacitetin e tyre.

Në energjinë e erës, KKTU ka përfshirë një park eolik të Verbund Green Power Albania Wind në Kryevidh të Rrogozhinës, pa kapacitet të specifikuar, dhe një strukturë eolike prej 3 MW të Green Tech në Sheq të Fierit.

Fotovoltaikët po ndryshojnë strukturën e prodhimit

Vala e re e lejeve vjen pas disa vitesh zgjerimi të investimeve në energjinë diellore, me projekte që ndodhen në faza të ndryshme, nga aplikimet dhe lejet e zhvillimit deri te ndërtimi dhe prodhimi.

Ndryshimi ka nisur tashmë të reflektohet edhe në bilancin kombëtar të energjisë, edhe pse në mënyrë graduale. Në vitin 2025, energjia e prodhuar nga burimet e tjera të rinovueshme, ku dominojnë fotovoltaikët, arriti në 13.2% të prodhimit neto vendas, nga vetëm 6.4% një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT.

Tendenca është bërë edhe më e dukshme gjatë vitit 2026. Në tremujorin e parë, prodhuesit e tjerë të energjisë, ku përfshihen kryesisht centralet fotovoltaike, prodhuan 254 GWh, 44% më shumë se një vit më parë, dhe zunë rreth 7% të prodhimit vendas. Në tremujorin e dytë, prodhimi i kësaj kategorie u rrit në 448 GWh, nga 288 GWh një vit më parë, duke arritur në 19% të prodhimit neto vendas.

Në të njëjtën periudhë, hidrocentralet publike siguruan 42.8% të prodhimit dhe hidrocentralet private e koncesionare 38.2%. Të marra së bashku, të dhënat e dy tremujorëve tregojnë se prodhuesit e tjerë, ku peshën kryesore e kanë impiantet fotovoltaike, gjeneruan rreth 702 GWh energji, çka përfaqëson rreth 11.7% të prodhimit neto vendas në gjashtëmujorin e parë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com