AktualitetBota+Të fundit

E dënuara me vdekje në SHBA i mbijeton përpjekjes për ekzekutim pas dy injeksioneve vdekjeprurëse

Christa Pike, e dënuar me vdekje në Tenesi, është dërguar në spital pasi dështoi përpjekja për ta ekzekutuar me dy injeksione vdekjeprurëse, sipas avokatit të saj.

Ekipi i saj ligjor paraqiti një kërkesë urgjente për të ndaluar ekzekutimin e vrasëses së dënuar ndërkohë që ai po kryhej, duke deklaruar: “Znj. Pike ka humbur ndjenjat, por zemra i rreh ende dhe ajo gërhet në mënyrë të dëgjueshme.”

Një nga avokatët e saj i tha BBC-së se Pike, 50 vjeçe, tani po merrte “masa për shpëtimin e jetës” në spital, pasi i ishin administruar dy shiringa me pentobarbital.

Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer. Ekzekutimi i saj ishte objekt i një beteje ligjore të minutës së fundit.

Kjo çështje kulmoi me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së për të lejuar kryerjen e injeksioneve vdekjeprurëse.

Pike ishte 18 vjeçe kur ajo dhe i dashuri i saj i asaj kohe, Tadaryl Shipp, rrahën, torturuan dhe vranë 19-vjeçaren Slemmer, me të cilën ishin njohur në një kamp trajnimi profesional për adoleshentë me probleme.

Nëna e Slemmer, May Martinez, ishte ndër personat që dëshironin që ekzekutimi të kryhej. Duke folur për NBC News pas ngjarjeve të mbrëmjes së së mërkurës, ajo tha: “Ishte një situatë kaotike.”

Përpjekja për ekzekutim u krye në institucionin e sigurisë maksimale “Riverbend” në Nashville, rreth orës 20:00 me orën lokale (01:00 GMT të së enjtes).

Pike-s iu dhanë dy doza të substancës kimike pentobarbital dhe perdja në dhomën e dëshmitarëve u mbyll dy herë, raportoi agjencia e lajmeve AP.

Në një moment, mediave iu kërkua të largoheshin, njoftoi agjencia e lajmeve.

AP shtoi se protokolli i ekzekutimit në Tenesi parashikon një grup të dytë shiringash me lëndë vdekjeprurëse në rast se personi që po ekzekutohet nuk vdes pas grupit të parë. Megjithatë, protokolli nuk përcakton se çfarë ndodh nëse personi mbetet gjallë pas grupit të dytë.

Në një deklaratë të raportuar nga mediat amerikane, guvernatori i Tenesit, Bill Lee, tha se kishte urdhëruar “një shqyrtim gjithëpërfshirës nga një palë e tretë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi”. Ai tha se ekzekutimi i fundit i planifikuar për këtë vit nuk do të kryhej siç ishte parashikuar.

Tentativa për ekzekutimin e Pike-ut nuk ishte e para në shtet gjatë vitit 2026 që nuk shkoi sipas planit. Ekzekutimi i Tony Carruthers-it, i cili ishte dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e tre personave në vitin 1994, u shty në muajin maj pasi personeli nuk arriti të gjente një venë për të administruar lëndën vdekjeprurëse.

Departamenti i Korrektimit i Tenesisë ka deklaruar se qëndron pas të gjitha veprimeve të ndërmarra gjatë tentativës për ekzekutimin e Pike-ut.

“Departamenti i Korrektimit i Tenesisë ndoqi çdo hap të protokollit ligjor dhe të miratuar të shtetit për ekzekutimet, i cili është aprovuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm,” tha për gazetën *The Tennessean* zëdhënësja e departamentit, Dorinda Carter.

“Lënda kimike për injeksionin vdekjeprurës e parashikuar në protokoll ka rezultuar vazhdimisht efektive dhe protokolli nuk parashikon procedura shtesë përtej atyre që u kryen këtë mbrëmje. Christa Pike është transferuar në një institucion mjekësor jashtë ambienteve të burgut,” tha ajo. Ekipi ligjor i Pike-ut deklaroi për gazetën *The Tennessean*: “Sonte, shteti i Tenesisë dështoi sërish të kryente një ekzekutim të ligjshëm.

“Nuk ndiejmë asnjë kënaqësi që dolëm të kishim të drejtë, por shqetësimet e ngritura nga znj. Pike rezultuan të vërteta: vështirësi në gjetjen e venave, çarje të venave, pentobarbital i degraduar dhe mungesë e kujdesit mjekësor urgjent kur gjërat pashmangshmërisht shkojnë keq – e gjitha kjo në kuadër të një protokolli që mbetet i mbështjellë me fshehtësi.”

Avokatët e Pike-ut paraqitën një kërkesë urgjente për pezullimin e ekzekutimit dhe ofrimin e kujdesit mjekësor, pasi injeksioni vdekjeprurës duket se nuk shkoi siç duhet.

Gjykatësi i qarkut, Clifton L. Corker, nxori një vendim ku theksohej se “personeli mjekësor ka filluar të ofrojë kujdesin mjekësor, siç kërkohej në mocion”.

Dr. Joel Zivot, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Emory – i cili i tha BBC-së se ishte angazhuar nga ekipi ligjor i Pike-ut si ekspert mjekësor – deklaroi se ajo me gjasë nuk arriti kurrë nivele të mjaftueshme të pentobarbitalit në gjak për të shkaktuar apne (ndalim të frymëmarrjes) dhe kolaps kardiovaskular gjatë tentativës për ekzekutim.

“Është shumë e mundshme që, si pasojë e vonesës në fillimin e reanimimit, ajo të pësojë dëmtim të trurit,” tha Zivot në një email.

Tentativa për ekzekutimin me vdekje vijoi pasi dështuan disa sfida ligjore të minutës së fundit të ngritura nga avokatët e Pike-ut.

Gjykata e Lartë e SHBA-së kishte penguar dy përpjekje të ndara për të ndaluar ekzekutimin me injeksion vdekjeprurës.

Vonë të mërkurën, gjykata më e lartë e Amerikës rrëzoi një vendim për shtyrjen e ekzekutimit, të dhënë më herët atë ditë nga një gjykatë më e ulët. Gjykata më e ulët kishte urdhëruar një pezullim, duke deklaruar se i duhej më shumë kohë për të shqyrtuar argumentet në çështjen e Pike-ut.

Gjykata e Lartë më parë kishte hedhur poshtë një apel të avokatëve të Pike-ut, të cilët argumentonin se juria nuk kishte pasur mundësinë të vlerësonte provat lehtësuese lidhur me historikun e dokumentuar të abuzimit seksual që ajo kishte pësuar në fëmijëri, përpara se ta dënonin atë me vdekje në vitin 1996.

Mbrojtja deklaroi se, për vite me radhë, shteti i Tenesisë kishte argumentuar në gjykatë se ajo kishte gënjyer kur pretendonte se ishte abuzuar seksualisht në fëmijëri.

Megjithatë, në një seancë të fundit lidhur me metodën e ekzekutimit të saj, shteti deklaroi se nuk e kontestonte faktin që ajo kishte pësuar abuzim seksual dhe përdhunim.

Guvernatori i Tenesisë refuzoi këtë javë një kërkesë për falje nga Pike, e cila është e vetmja grua në radhët e të dënuarve me vdekje në këtë shtet.

Në peticionin e saj për falje, Pike tha se kishte ndërmend ta rrihte Slemmer-in, jo ta vriste, por se nuk kishte qenë në gjendje “të frenonte veten”.

“Isha një 18-vjeçare me probleme mendore,” tha ajo në një deklaratë. “M’u deshën vite të tëra për të kuptuar seriozitetin e asaj që kisha bërë. Dhe edhe më shumë kohë për të pranuar se sa jetë kisha prekur. I mora jetën fëmijës, motrës apo shoqes së dikujt. Më vjen neveri tani kur mendoj se kisha aftësinë për të kryer një krim të tillë.”

Vrasja e vitit 1995 shkaktoi një bujë të madhe mediatike në Knoxville të Tenesisë, pasi Colleen u gjet me një pentagram të përmbysur – një simbol që lidhet me grupet satanike – të gdhendur në gjoksin e saj. Pike ka mohuar ta ketë gdhendur vetë atë simbol.

Para vrasjes, Pike e kishte akuzuar Colleen-in se e kishte fyer dhe se kishte tentuar t’ia merrte të dashurin që kishte në atë kohë.

Dy banorë të tjerë të kampit dëshmuan më vonë se Pike ishte mburrur për vrasjen si para, ashtu edhe pas kryerjes së saj, dhe u kishte treguar atyre një pjesë të kafkës së Colleen-it. Martinez, nëna e Slemmer-it, tha gjatë fundjavës se kishte pritur me dekada që të shihte zbatimin e dënimit të Pike-ut.

Ajo i tha agjencisë AP se një grup e kishte ndihmuar të mblidhte fonde që ajo dhe bashkëshorti i saj të udhëtonin nga Florida në Tenesi për të qenë të pranishëm në ekzekutim.

“Nuk kalon asnjë ditë apo minutë pa menduar për Colleen-in. Festat janë më të vështirat,” tha Martinez.

Që nga viti 1976, kur Gjykata e Lartë riktheu dënimin me vdekje, në SHBA janë ekzekutuar vetëm 18 gra, krahasuar me 1.663 burra. Kjo përbën rreth 1% të të gjitha ekzekutimeve në SHBA.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com