Raportuesi i Shqipërisë në BE: S’është çështja që të hapen kapitujt, por duhen mbyllur. Reforma duhet të mbërrijnë te shoqëria
Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka vlerësuar progresin e vendit në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave me Bashkimin Europian. Në fjalën e tij në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që po zhvillohet në Tiranë, Schieder u shpreh se dëshiron të japë kontributin e tij për përmbylljen e këtij procesi. Konferenca mbledh përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve të tjera europiane.
“Duhet të shohim të gjitha çështjet, shtetin e së drejtës, ku Shqipëria ndërmori procesin e vettingut”, tha ai, duke përmendur gjithashtu sistemet sociale, sistemin shëndetësor dhe politikën e jashtme, ku sipas tij Shqipëria është në përputhje me qëndrimet e BE-së. Raportuesi për Shqipërinë theksoi se tashmë vendi ndodhet në fazën e fundit të procesit dhe se mbeten ende disa kapituj për t’u përmbyllur. “Kryenegociatori është me ne këtu, tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur. Shqipëria ka qenë eprore”, u shpreh Schieder.
Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te hapja e kapitujve, por te përfundimi i tyre dhe zbatimi i reformave në praktikë. “Nuk është çështja që të hapen kapitujt, por duhen mbyllur. Këto reforma duhet të mbërrijnë te shoqëria. Duhet të formësohet e ardhmja e vendit”, deklaroi ai. Schieder shtoi se Shqipëria ka ende kohë për të përmbushur hapat e mbetur dhe se procesi nuk varet vetëm nga puna e institucioneve shqiptare, por edhe nga mënyra se si Bashkimi Europian do ta trajtojë zgjerimin. “Shqipëria meriton që të jetë anëtare e BE-së. Kemi parë që Shqipëria dhe Kuvendi e kanë ndërmarrë këtë sfidë mjaft të fortë, por në fund fare është çështje e BE-së se si e trajton. Nuk është thjesht çështje e Brukselit dhe e Shqipërisë”, përfundoi raportuesi europian.
Fraksion.com

