AktualitetPolitikëTë fundit

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenca zbardh detajet nga takimi

Presidenti Bajram Begaj thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.

Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.

Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.

Në takim u konkludua se “për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin”.

“Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Po ashtu në mbledhje u inkurajua që hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë.

“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional. Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve”, vijon njoftimi për shtyp i Presidencës.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com