Kuvendi i Kosovës mblidhet për një deklaratë rreth aktgjykimit të Speciales
Kuvendi i ri i Kosovës pritet ta miratojë sot një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në fillim të seancës së të hënës, e para plenare e legjislaturës së 11-të, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se partitë parlamentare janë pajtuar për tekstin e deklaratës.
Në foltoren e Kuvendit, Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.
Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.
Fraksion.com

