AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Europa të mos lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, të japë sinjale të forta drejt integrimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Europa nuk duhet ta lërë në baltë Ballkanin Perëndimor por duhet të gjejë rrugën për të dhënë një sinjal shumë të fort drejt integrimit.

I pranishëm në konferencën ndërparlamentare mes përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane, Rama u shpreh se përparësia e Shqipërisë në procesin e integrimit europian është se shqiptarët e dashurojnë Bashkimin Evropian.

“Nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja. Ne patjetër debatojmë shumë gjëra këtu brenda në vendin tonë dhe çdo ditë kemi kapacitetin për të gjetur arsye, për mos të qenë dakord me njëri-tjetrin, qoftë edhe për hollësitë më të rëndësishme. Por për një gjë ne kemi rënë gjithmonë dakord, për faktin që duam të jemi pjesë e Evropës dhe që ne e dashurojmë Evropën”, tha Rama.

Ndaj Rama tha se shpreson shumë që Europa të mos e lërë përsëri në baltë një grup vendesh siç është Ballkani Perëndimor.

“Nëse kjo ndodh do të lërë në baltë edhe vetveten. Nëse Europa do të lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, atëherë nuk do jetë një dështim i thjeshtë për Evropën, por do jetë dështimi më madhor. Ka ide dhe situata të ndryshme psikologjike dhe sociale në vendet europiane, ku disa janë shumë të zellshëm që ta shohin që integrimi të ndodh dhe të tjerë ngurrojnë pak më shumë. Por shpresoj që të gjithë, pavarësisht zellit apo ngurrimit, të gjejnë rrugën për t’i dhënë botës dhe vetë Evropës një sinjal shumë të fortë. Besoj se nuk është aq e vështirë të gjendet një rrugë e tillë, në fakt është shumë e thjeshtë”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje ribashkimin e Gjermanisë, kur ish-Kancelari Helmut Kohl u shpreh: “tani jemi bashkë”. “Kohl nuk shkoi atje për t’i thënë gjermanëve të Lindjes që tani jeni të lirë dhe keni 33 kapituj për t’ju nënshtruar. Por tha ne jemi bashkë dhe nga ai moment e tutje i gjithë procesi i ribashkimit nisi dhe kërkoi kohë. Në fakt mbase ende nuk është përfunduar plotësisht kur ende mund të shohësh dallime”, shtoi Rama.

Rama theksoi se vendet duhet të ftohen rreth tryezës dhe procesi duhet të zhvillohet në bazë të meritës që çdo vend ka.

“Ursula von der Leyen ka shtatë fëmijë dhe BE ka shtatë kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës, ‘shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje tek cepi, sepse tani mami është pak e zënë’. Ajo nuk i tha djalit: ‘shko e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit’. Jo, të gjithë ishin rreth tavolinës. Por patjetër që jo të gjithë që ishin aty në tavolinë nuk kishin të njëjtën vlerë zëri, nuk kishin të njëjtën forcë fjale, madje dhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, “Evropa duhet të gjejë momentin e Helmut Kol dhe të thotë: hajdeni të gjithë rreth kësaj tavoline”.

“Pastaj se çfarë merr secili prej asaj tavoline, kjo varet pikërisht nga procesi që bazohet tek merita. Nuk mund t’i themi Ukrainës që gjithçka bëhet, por mund t’i themi asaj të vijë në tavolinë dhe pastaj jemi të gjithë të bashkuar si një Evropë. Nuk duhet të kujtohemi që jemi një Evropë sa herë ka një sulm, kur bie ndonjë pandemi, apo kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Evropë. Në ato momente nevojitemi edhe neve në tavolinë sepse ja ku kalon rruga nga këtu. Prandaj do të jemi edhe ne në tavolinë”, shtoi Rama.

Konferenca “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë” zhvillohet në Tiranë në datat 27–29 shtator 2026 dhe mbledh së bashku përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së.

Punimet e konferencës do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme me tre sesionet e saj tematike: “Agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit”, “Zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë” dhe “Udhëheqja parlamentare dhe angazhimi në avancimin e integrimit europian”.

Konferenca synon të informojë dhe ndërgjegjësojë parlamentet pjesëmarrëse mbi arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, të forcojë bashkëpunimin parlamentar dhe mbështetjen e parlamenteve të vendeve anëtare për procesin e integrimit, të konsolidojë partneritetin me vendet kandidate, si dhe të krijojë një hapësirë për dëgjimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe të aktorëve të përfshirë në përpunimin e politikave të zgjerimit.

Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në ecurinë e procesit të zgjerimit, përvojat dhe sfidat e vendeve kandidate dhe rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian, në funksion të objektivit strategjik kombëtar për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com