“Partia në gjendje krize”: SPD në rënie të lirë
SPD po zhytet gjithnjë e më thellë në krizë – e nxitur nga frika e një humbjeje ekzistenciale të rëndësisë. A mund të ndalet rënia, apo zgjedhjet në lande do ta shpejtojnë rënien?
Fushata zgjedhore në landin Saksoni-Anhalt është futur në fazën e fundit. Kryetari i grupit parlamentar të SPD në Bundestag Mattias Miersch ka udhëtuar atje për të dhënë mbështetjen e tij. Në Magdeburg dhe tre qytete më të vogla, ai u takua me politikanë dhe qytetarë dhe po angazhohet në diskutime me Shoqatën për Diversitetin Queer, një kooperativë dhe një iniciativë për integrimin social të refugjatëve të rinj.
Frika nga AfD
Gjithçka sillet rreth çështjeve kryesore të partisë: qira të përballueshme, mbështetje sociale, ulje të varfërisë, integrim dhe ndalim të diskriminimit bazuar në identitetin seksual. Miersch duket i interesuar, bën pyetje dhe dëgjon. Është e qartë se takimi në Rainbow Café në Magdeburg ishte veçanërisht domethënës për të, pasi ai foli hapur për identitetin e tij seksual si një burrë homoseksual. Atje, njerëzit queer prekën edhe temat si urrejtja dhe armiqësia e hapur, veçanërisht në zonat rurale. Por folën edhe për frikën në rritje të një qeverie të mundshme nga AfD.
Alternativa për Gjermaninë(AfD) klasifikohet si një organizatë e konfirmuar ekstremiste e krahut të djathtë nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në Saksoni-Anhalt.
SPD nuk mund ta ndalojë AfD-në
Por socialdemokratët kanë pak mundësi të kundërshtojnë ngritjen e AfD-së në Saksoni-Anhalt. Partia më e vjetër e Gjermanisë ka në sondazhe aktualisht një mbështetje prej vetëm shtatë deri në tetë përqind. Arsyeja bëhet e qartë në biseda: SPD nuk ka më një profil të dallueshëm. Një problem është pakënaqësia e përhapur me qeverinë federale, në të cilën SPD qeveris si partneri i vogël i CDU-së dhe CSU-së konservatore.
Shumë elementë të reformave të dakordësuara nga CDU/CSU dhe SPD para pushimeve të verës janë jashtëzakonisht jopopullore. “Nuk dua ta fsheh faktin, se politika federale po nxit disa nga diskutimet edhe këtu në nivel lokal”, thotë Miersch. Ai këtu i referohet edhe planit për të hequr pensionimin pas 45 vite kontributesh.
Zgjedhjet në pesë lande
Por SPD nuk po lufton vetëm kundër rënies në Saksoni-Anhalt. Në të gjithë vendin, partia renditet në sondazhe vetëm rreth dymbëdhjetë përqind, pas AfD-së, CDU/CSU-së dhe të Gjelbërve. Situata është edhe më dramatike në disa lande. Viti 2026 është një vit super zgjedhor, me zgjedhje në pesë nga 16 landet federale. Dy zgjedhje janë zhvilluar tashmë.
Rezultatet deri më tani: Në Baden-Württemberg, SPD pësoi rezultatin e saj më të keq në historinë e pasluftës, duke arritur mezi të hynte në parlament.
Në Rheinland-Pfalz, pas 35 vitesh në pushtet, partia u zhvendos qartë në vendin e dytë nga CDU. Rezultati i saj zgjedhor ishte më i keqi që ka arritur ndonjëherë në atë land.
Disfata të mëtejshme priten tani në shtator. Jo vetëm në Saksoni-Anhalt por edhe në Berlin e Mecklenburg-Vorpommern, ku mund të humbë pushtetin sikur edhe në Rheinland-Pfalz.
Frustrimi po rritet brenda SPD-së
Gjithnjë e më shumë socialdemokratë po flasin për një krizë ekzistenciale. Partia e dikurshme krenare e punëtorëve, e cila në kulmin e saj mund të fitonte gjysmën e votuesve, kërcënohet me humbje të rëndësisë. “Shoh një parti që po vdes”, tha deputeti i Berlinit Orkan Özdemir, bashkëkryetar i grupit të punës së SPD-së për migracionin dhe diversitetin, për DPA në fillim të gushtit.
Komiteti ekzekutiv i grupit të punës ka kërkuar një konferencë të posaçme të partisë në vjeshtë dhe një ristrukturim të udhëheqjes së partisë në një letër drejtuar këshillit ekzekutiv. Pakënaqësia po rritet, pavarësisht faktit se është sezoni i zgjedhjeve dhe se partia duhet të paraqesë një front të bashkuar.
A është vija qeveritare ende vija e partisë?
Në epiqendër të kritikave: roli i dyfishtë i dy udhëheqësve të partisë, Bärbel Bas dhe Lars Klingbeil, të cilët janë njëkohësisht edhe ministra. Kjo nuk po funksionon. Ata shihen si të paaftë për të përfaqësuar SPD-në me kursin e saj të dallueshëm brenda qeverisë. Ka shumë lëshime ndaj CDU/CSU-së, veçanërisht në çështjet e politikës sociale. Ka dhe shumë gjëra ku SPD është dakorduar në çështjen e pensioneve, lejes së mjekut dhe tema të tjera.
Ekzistojnë kritika edhe ndaj shtrëngimit të politikës së migracionit. Një debat nëse linja e qeverisë është ende në përputhje me vijën e partisë është i vonuar prej kohësh, thonë ata që kërkojnë një konferencë të posaçme të partisë.
Bas dhe Klingbeil duhet të kenë frikë për pozicionet e tyre. Çështja se çfarë SPD-ja dhe kush duhet ta përfaqësojë ate, po bëhet çështje mbijetese. “Ne kemi humbur besimin e votuesve sepse SPD nuk mbante qëndrim për shumë çështje”, tha Bärbel Bas. “Gjithashtu, ndonjëherë ishim të paqartë në deklaratat tona. Shumë njerëz nuk e dinë se çfarë përfaqëson SPD”, theksoi ajo.
Lars Klingbeil gjithashtu i kupton kritikët, por mbetet i qetë. Sipas tij, është krejtësisht në rregull që ka diskutime brenda partisë. “Ne jemi në dymbëdhjetë përqind; këto janë kohë tepër të trazuara.”
Punëtorët votojnë AfD
Sipas një analize nga instituti i sondazheve Forsa nga nëntori 2025, vetëm nëntë përqind e punëtorëve me kualifikim të ulët dhe të papunëve tani votojnë për SPD. Ata tani simpatizojnë AfD-në. Anketuesit në infratest-dimap publikuan shifra në shkurt 2025 që tregojnë se 38 përqind e punëtorëve votojnë për AfD. Kjo është një tronditje për SPD-në.
Gjithnjë e më shumë socialdemokratë e shohin partinë e tyre në një udhëkryq. Ata kërkojnë që SPD të gjejë rrugën e saj drejt një profili politik të njohur, qoftë edhe nga opozita. Nga ana tjetër, ata kanë frikë se SPD do të humbë midis përgjegjësisë qeveritare, luftërave të brendshme për pushtet dhe humbjes së ish-votuesve të saj kryesorë./DW
Frakaion.com

