Rama: “Pasqyra Albania” do të njoftojë qytetarët në kohë reale për ligjet, vendimet dhe emergjencat
Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se “Prania Besnike” nuk duhet të shihet si një kalendar elektoral apo organizativ i partisë, por si pjesë e një sistemi që synon ta kthejë dëgjimin e qytetarit në kusht dhe përgjigjen ndaj problematikave të tij në detyrim.
Në takimin me grupin parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar, Rama duke iu referuar konceptit të “Besës”, u shpreh se nuk është thjesht një fjalë, por një akronim që lidhet me besimin, empatinë, shërbimin dhe angazhimin.
“Çdo i pranishëm në këtë sallë, këto katër pjesë të sjelljes duhet t’i bëjë vijë të sjelljes në çdo kontakt me këdo qoftë, edhe me njëri-tjetrin”, tha Rama.
Sipas tij, sfida nuk ka qenë mungesa e takimeve me qytetarët, pasi përfaqësuesit socialistë kanë qenë në të gjithë territorin e vendit, por pamjaftueshmëria e dëgjimit të drejtpërdrejtë të problematikave të tyre.
“Ne kemi qenë kudo në hartë, në çdo pikë të hartës, por ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut. Sepse distanca nga qytetari nuk matet me kilometrat që ti bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapura janë veshët e tu kur qytetari flet”, u shpreh ai.
Rama bëri të ditur se “Prania Besnike” do të vendosë një rregull të qartë, sipas të cilit qytetari do të dijë paraprakisht se ku dhe kur mund të gjejë përfaqësuesin e tij, përmes një kalendari të publikuar.
Kreu i qeverisë njoftoi se procesi do të nisë këtë të premte, në orën 17:00 dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“E premtja e kësaj jave, në orën 17:00 është fillimi i një procesi të pranisë në të gjithë territorin e Republikës, që nuk do të ndalet asnjë të premte, nuk do të ndryshojë orë në asnjë të premte deri sa unë të jem kryetar i PS”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se takimet nuk do të jenë mbledhje partiake, por seanca dëgjimi drejtpërdrejt me qytetarët, ballë për ballë, tek për tek, me qëllim që secili të mund të parashtrojë problematikën e tij përballë përfaqësuesve.
“”Prania Besnike” është dëgjim me radhë. Ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Që do të thotë që kushdo të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe rri pret përballë përfaqësuesve të tij që do mbajnë shënim”, tha ai.
Rama nënvizoi se në këto takime nuk do të ketë kamera dhe fotografitë në fillim të takimit do të bëhen vetëm me miratimin e pjesëmarrësve, pa ekspozuar fytyrat e tyre.
Një tjetër parim i “Pranisë Besnike”, sipas Ramës, është hapja e saj ndaj qytetarëve pavarësisht përkatësisë politike.
“Nuk ka rëndësi se i kujt partie je. Nuk ka problem nëse ke qenë prototip kundër PS në fushatë. Veshët tanë janë aty ditën e premte në orën 17:00”, tha ai.
Rama theksoi gjithashtu se përfaqësuesit politikë nuk duhet të premtojnë zgjidhje jashtë rregullave apo të përdorin kontaktet personale me drejtues institucionesh për zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
“Prania është një sistem që duhet të disiplinojë institucionet, jo t’i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Rama kërkoi që deputetët të mos marrin më në telefon drejtorët për zgjidhjen e problematikave individuale, por që shqetësimet e qytetarëve të përcillen në rrugë institucionale dhe me shkrim, në përputhje me ligjin dhe procedurat.
“”Prania Besnike” kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por që përmes rrugës së Pranisë, me shkrim, të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacionin institucional, me ligj dhe me zakon”, deklaroi Rama.
Sipas tij, synimi është krijimi i një raporti të ri mes qytetarit, përfaqësuesit politik dhe institucioneve, ku dëgjimi i drejtpërdrejtë shoqërohet me përgjegjësi për përcjelljen dhe trajtimin institucional të problematikave.
Fraksion.com

