AktualitetBota+Të fundit

Për studentët iranianë, edhe testi i anglishtes bëhet pengesë

Iranianët kanë reaguar me pikëllim, sarkazëm dhe akuza politike pasi Shërbimi i Testimit Arsimor (ETS), me bazë në Shtetet e Bashkuara, konfirmoi se ka pezulluar provimet TOEFL dhe GRE në Iran, duke mbyllur një rrugë drejt studimeve jashtë vendit për mijëra studentë që kishin kaluar muaj, e në disa raste vite, duke u përgatitur për këto teste.

ETS i tha Radios Farda, shërbimit në gjuhën persiane të Radios Evropa e Lirë, në një përgjigje me shkrim se ka “pezulluar menjëherë administrimin e testeve TOEFL dhe GRE në Iran”, duke iu referuar Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit dhe pezullimit të Licencës së Përgjithshme G.

Që nga viti 2014, kjo licencë kishte autorizuar ofruesit amerikanë të shërbimeve arsimore të ofronin shërbime të caktuara, përfshirë testet e standardizuara, për njerëzit në Iran, pavarësisht sanksioneve të gjera amerikane.

Pezullimi është pjesë e një pakete të gjerë sanksionesh të reja që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vendosi më 24 gusht, në kuadër të asaj që sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e quajti një “ofensivë ekonomike” kundër rrjeteve financiare të Iranit në mbarë botën.

Krahas Licencës së Përgjithshme G, OFAC-u pezulloi për një kohë të pacaktuar edhe Licencën e Përgjithshme F, e cila kishte lejuar shkëmbimet, që kanë të bëjnë me sportin, mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe disa licenca të tjera që mbulonin transaksionet joqeveritare dhe personale. Një periudhë e shkurtër për përfundimin gradual të aktiviteteve ekzistuese vazhdon deri më 8 shtator, pas së cilës çdo aktivitet i tillë do të kërkojë autorizim specifik nga OFAC-u.

Kjo lëvizje paraqet një ndryshim të madh krahasuar me periudhën më herët gjatë këtij viti, kur Uashingtoni dhe Teherani arritën një memorandum mirëkuptimi, që u pa si një mundësi për t’i dhënë fund luftës dhe për të ofruar lehtësim të sanksioneve më të gjera.

Mundësi të kufizuara për studentët

Për kandidatët që do t’u nënshtroheshin testeve, efekti praktik ishte i menjëhershëm. Kalendarët e rezervimeve për TOEFL-in në Iran, të cilët më parë ofronin mundësi rezervimi deri në janar, brenda një dite u reduktuan në vetëm dy qendra testimi pranë Teheranit, me termine deri më 5 shtator, përpara se të zhdukeshin plotësisht.

Pezullimi pason një masë të ngjashme nga Duolingo, e cila disa ditë më herët tha se testi i saj i anglishtes nuk ishte i qasshëm në Iran dhe për përdoruesit me dokumente identifikimi të Iranit. IELTS-i, i administruar nga Këshilli Britanik dhe organizata IDP Education, ka qenë praktikisht i paqasshëm brenda Iranit që nga janari.

Shumë prej reagimeve në rrjetet sociale u përqendruan te kostoja për studentët, të cilët nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimet gjeopolitike që çuan në këtë vendim.

Një përdorues iranian shkroi se “një nxënës i pafat i gjuhës punoi fort për dy vjet dhe tani gjithçka u zhduk brenda natës”.

Ky qëndrim pasqyrohet edhe në një peticion të ri të nisur në Change.org, ku i bëhet thirrje OFAC-ut dhe ETS-së të rikthejnë qasjen për iranianët. Në të thuhet se studentët “kanë kaluar muaj duke u përgatitur, kanë paguar tarifat e provimeve dhe kanë ndërtuar afatet e aplikimeve të tyre rreth datave të planifikuara të testeve”, dhe se nuk kanë faj për situatën.

“Vlerësimi i edukimit duhet të mbetet i qasshëm për studentët që kërkojnë mundësi të ligjshme akademike”, u tha në peticion.

Të tjerë e shfrytëzuan rastin për të ironizuar ata që këmbëngulin se sanksionet amerikane nuk shënjestrojnë iranianët e zakonshëm.

Majidreza Hariri, president i Dhomës së Tregtisë Iran-Kinë, shkroi me sarkazëm në X se vetëm fëmijët e zyrtarëve iranianë janë ndaluar t’u nënshtrohen testeve të gjuhës.

“Sigurisht, sanksionet amerikane nuk janë kundër popullit iranian!”, shkroi ai.

Matin Mirrzamani, i cili drejton Projektin Iran 2040 të Universitetit Stanford, tha se masat e reja amerikane janë “jashtëzakonisht agresive dhe me pasoja të gjera”.

Ai shtoi se njerëzit që minimizojnë ndikimin e kësaj fushate “i bëjnë dëm popullit iranian. Po kështu edhe ata që e ekzagjerojnë natyrën e saj”.

Numri i madh i postimeve në internet të njerëzve që ankoheshin për ndikimin e sanksioneve të reja te iranianët e zakonshëm zemëroi mbështetësit e Republikës Islamike, të cilët u shprehën të indinjuar që njerëzit dukej se ishin më të shqetësuar për sanksionet sesa për vdekjen e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe figurave të larta ushtarake gjatë luftës së fundit.

Për studentët iranianë, pezullimi i testeve ngushton edhe më shumë një gamë tashmë në tkurrje të mundësive për të studiuar jashtë vendit. SHBA-ja pezulloi plotësisht lëshimin e vizave për shtetasit iranianë në pothuajse të gjitha kategoritë, duke filluar nga 1 janari.

Meqë as ETS, as IELTS dhe as Duolingo nuk ofrojnë teste brenda vendit, studentët që kanë mundësi financiare u mbetet mundësia të udhëtojnë në një shtet tjetër, si Turqia ose Armenia, për të dhënë provimin. Kjo rrit kostot e udhëtimit dhe humbjet nga këmbimi valutor, për një proces aplikimi veçse të kushtueshëm.

Për studentët që nuk kanë mundësi të udhëtojnë, pranimi në programet e studimeve pasuniversitare në gjuhën angleze jashtë vendit dhe bursat që shpesh lidhen me rezultatet e testeve të standardizuara mund të bëhen thjesht të paarritshme, derisa, ose nëse, Uashingtoni rikthen licencën./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com