Gjendet e vdekur Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal. Denoncoi në SHBA lidhjet e ish-zyrtarit të FBI-së me Edi Ramën
Guerriero, 52 vjeç, e cila u bë njohur dhe në mediat shqiptare, pasi denoncoi lidhjet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama dhe vizitat e tij në Shqipëri dhe në ShBA, ndërroi jetë mbrëmjen e 27 gushtit, sipas babait të saj 80-vjeçar, Bill Guerriero. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Sipas mediave, policia e Boynton Beach tha se nuk ka aktualisht shenja që tregojnë për një vdekje të dhunshme, ndërsa hetimi vijon.
Guerriero kishte publikuar vetëm pak orë para vdekjes një seri prej rreth 75 postimesh në rrjetin social X. Në një prej tyre ajo kishte publikuar një video ku shfaqej duke ecur në rrugë dhe kërkonte që të vendosej më shumë vëmendje mbi persona të tjerë brenda strukturave federale. Në një tjetër postim ajo kishte shkruar: “E urrej FBI-në”.
Postimet ishin pjesë e një fushate disa vjeçare të Guerrieros kundër ish-të dashurit të saj, Charles McGonigal, si dhe kundër disa prej figurave të larta të FBI-së.
Në një video të publikuar ditën e vdekjes, Guerriero fliste edhe për McGonigal, duke thënë se emri i tij u bë i njohur vetëm pas skandalit, ndërsa kërkonte që publiku të hetonte edhe emrat e tjerë që nuk njiheshin.
Kujtojmë se emri i Guerrieros ka pasur një rëndësi të veçantë edhe për opinionin publik në Shqipëri. Pas përfundimit të lidhjes së tyre, ajo i ka vënë në dispozicion hetuesve amerikanë të dhëna mbi veprimtarinë e McGonigal, duke përfshirë edhe marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama.
Sipas deklaratave të bëra publikisht nga Guerriero, McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte drejt Shqipërisë për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama, ndonëse pa i zbuluar qëllimin e saktë të atyre takimeve.
Ajo pati deklaruar gjithashtu se ish-zyrtari i FBI-së dhe Rama kishin një marrëdhënie personale dhe se McGonigal fliste shpesh për kryeministrin shqiptar.
Dëshmitë e saj morën peshë të veçantë pas publikimit të aktakuzës nga drejtësia amerikane, ku emri i Edi Ramës përmendej në disa pika të dokumentit zyrtar.
Fraksion.com

