Ekzekutoi tre të rinj në Malin e Zi dhe u arratis, autori rus vret veten
Një 30-vjeçar rus, i dyshuar për vrasjen e tre personave në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi, është lokalizuar në një zonë pyjore mbi lagjen Topla, në Herceg Novi. Sipas autoriteteve, i dyshuari hapi zjarr ndaj policisë në momentin kur u rrethua dhe më pas qëlloi veten në kokë.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur një ditë më parë në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danilovgrad. Sipas autoriteteve dhe informacioneve të publikuara nga “Vijesti”, 30-vjeçari vrau Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica, Petar Globarević, 24 vjeç, po nga Podgorica, si dhe Momir Radonjić, 67 vjeç, nga Danilovgradi, raporton Vijesti.
Të tre viktimat punonin në poligonin ku ndodhi sulmi. Sipas informacioneve të hetimit, pak para orës 17:00, Šabunjin dyshohet se qëlloi disa herë ndaj instruktorit të poligonit, Petar Globarević, dhe më pas e qëlloi në kokë. Pas kësaj, ai u kthye në pjesën e objektit ku bëhej dhënia me qira e armëve dhe vrau Radonjićin, përpara se të qëllonte edhe viktimën më të re, Nemanja Kaporin.
Sipas burimeve të përfshira në hetim, ndaj të tre viktimave janë qëlluar disa plumba. Masakrës arriti t’i mbijetojë pronari i poligonit, i cili në momentin e sulmit ndodhej duke fjetur në një prej ambienteve të objektit.
Pas vrasjeve, Šabunjin dyshohet se ka marrë disa armë dhe municione nga poligoni dhe është larguar me një automjetin Seat Cordoba, me ngjyrë të zezë dhe targa PG-AC472.
Fraksion.com

