Do të fusnin thikë dhe celular në burgun e grave në Pojskë: Shoqërohen tre familjarë rumunë
Tre anëtarë të së njëjtës familje nga Rumania, babai, nëna dhe vëllai, janë shoqëruar nga policia pasi tentuan të fusnin sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale për Gratë në Pojskë të Pogradecit.
Gjatë kontrollit të sendeve dhe çantave me rroba që familjarët kishin sjellë për të dënuarën, punonjësit e institucionit kanë konstatuar se brenda tyre ishin fshehur një thikë dhe një telefon celular, sende që ndalohet të futen në ambientet e burgut.
Familja rumune kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë përpara ngjarjes dhe kishte udhëtuar drejt Pogradecit për të takuar të afërmen e tyre.
Pas zbulimit të sendeve të ndaluara, grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e rastit dhe veçanërisht arsyen se përse ishte futur thika në rrobat e të dënuarës.
Pas ngjarjes është ushtruar kontroll edhe në qelinë e të dënuarës, por nuk është gjetur asnjë send tjetër i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.
Fraksion.com

