SPAK sekuestron mjetin luksoz të Ergys Agasit. Ishte fshehur në garazhin e një vile
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar automjetin luksoz të Ergys Agasit, i cili u arrestua një ditë më parë në Durrës në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Bëhet fjalë për një Land Rover Defender, automjet që ishte në kërkim dhe dyshohet se ishte fshehur në garazhin e një prej vilave në kompleksin “Equos Resort”.
Agasi u arrestua në zonën e Plepave, në Durrës, gjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me BKH-në dhe SPAK-un.
Sipas raportimeve, Agasi u lokalizua teksa udhëtonte me një automjet. Në të njëjtin automjet ndodhej edhe Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua gjatë operacionit.
Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest në kuadër të hetimeve të SPAK për procedurat e prokurimeve të AKSHI-t.
Sekuestrimi i automjetit luksoz është pjesë e veprimeve hetimore të kryera nga SPAK në kuadër të kësaj dosjeje.
Fraksion.com

