AktualitetKosovaTë fundit

Vritet edhe një grua në Prizren, arrestohet bashkëshorti i saj

Një grua 80-vjeçare, e identifikuar me inicialet L.D, është vrarë në Prizren dhe dorasi i dyshuar, sipas Policisë së Kosovës, është bashkëshorti i saj, B.D., 81-vjeçar.

Policia tha se rasti është raportuar në një shtëpi banimi në Prizren në orën 01:30 të 26 gushtit.

Kjo është vrasja e dytë brenda javës e grave në Kosovë, ku dorasët e dyshuar janë bashkëshortët.

Sipas Policisë, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, të forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, tha Policia e Kosovës.

Policia tha se sipas të dhënave të saj, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës së raportuar “dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërkaq pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagoi pas vrasjes në Prizren duke argumentuar se dhuna ndaj grave nuk është ” çështje private dhe as një varg ‘rastesh familjare'”.

“Ajo është dhunë e rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe kërkon përgjigje të fuqishme institucionale. Jeta e grave nuk mund të mbrohet vetëm pasi të humbet”, u tha në reagim, ku u kërkua nga institucionet që të ndëmarrin hapa konkretë për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Ngjarja në Prizren vjen pasi më 24 gusht një grua shtatzënë në Malishevë u vra dhe i dyshuari është bashkëshorti i saj, i cili është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Pas këtij rasti, nga RrGK-ja thanë për Radion Evropa e Lirë se këto raste të vrasjeve të grave po vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave shtetërorë që janë ngritur me synimin që të mbrojnë viktimat e dhunës.

“Gratë po vriten dhe shteti ende nuk po arrin t’i mbrojë ato në mënyrë efektive. Për Rrjetin, këto nuk janë raste të izoluara apo tragjedi individuale. Ato janë tregues të dështimeve sistemike në parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së për Radion Evropa e Lirë.

Pas vrasjes në Malishevë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale, për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tilla.

“Parandalimi kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve. Secili duhet të jetë në nivelin e detyrës, të veprojë me kohë dhe të mos lejojë asnjë hallkë e sistemit të dështojë”, ka thënë Gërvalla thuhet në njoftimin më shkrim nga kjo ministri më 26 gusht.

Më 2020, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit të hartuar nga Këshilli i Evropës, duke e bërë pjesë të Kushtetutës së vendit. Ky instrument obligues detyron shtetet që ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Në bazë të konventës, parashihet që shteti të mbrojë viktimat duke u ofruar strehimore, të ndjekë penalisht dhunën ndaj grave, të gjitha institucionet shtetërore të bashkëpunojnë dhe të ketë mekanizma që monitorojnë nëse konventa zbatohet./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com