AktualitetPolitikëTë fundit

Policisë së Shtetit i shtohen 387 të rinj e të reja, Lamallari: Uniforma nuk ju jep privilegje, por përgjegjësi

“387 të rinj e të reja të këtij kursi kanë tashmë jo vetëm njohuritë profesionale, por janë të përgatitur për realitetin e një prej profesioneve më të vështira dhe më fisnike në shërbim të vendit”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në ceremoninë e zhvilluar në Akademinë e Sigurisë me rastin e përfundimit të kursit për Patrullë e Përgjithshme në Policinë e Shtetit.

Duke iu drejtuar kursantëve, pedagogëve, drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe familjarëve, ministri Lamallari theksoi se ceremonia e përfundimit të formimit policor nuk është thjesht një moment formal, por shënon fillimin e një misioni dhe përgjegjësie të re në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

“Ceremonitë si kjo e sotmja janë rituale që përsëriten vit pas viti dhe në pamje të parë ngjajnë si të njëjta. Të rinj që marrin një certifikatë pas përfundimit të kursit dhe nisin një rrugëtim të ri. Por në të vërtetë nuk janë kurrë të njëjta. Pas çdo ceremonie ka njerëz të rinj, ëndrra të reja, familje që kanë pritur këtë ditë dhe, mbi të gjitha, ka një përgjegjësi të re që i besohet dikujt”, tha Lamallari.

Ai nënvizoi se përgjegjësia merr një kuptim të veçantë kur bëhet fjalë për Policinë e Shtetit, pasi përgatitja nuk lidhet vetëm me përfundimin e një shkollimi apo trajnimi, por me përgatitjen për një mision të vështirë: mbrojtjen e jetës dhe garantimin e zbatimit të ligjit.

“Nuk ka nderim më të lartë sesa të punosh për sigurinë e vendit tënd, të mbrosh jetën dhe pronën e njerëzve e t’u gjendesh pranë në ditë të vështira. Uniformën që mbani duhet ta konsideroni besim, përgjegjësi dhe krenari përgjatë gjithë karrierës tuaj në Policinë e Shtetit”, nënvizoi ministri.

Sipas tij, besimi i qytetarëve nuk fitohet vetëm përmes autoritetit që i jep ligji uniformës së policisë, por ndërtohet çdo ditë përmes sjelljes, profesionalizmit dhe mënyrës së komunikimit me qytetarët.

“Besimi fitohet çdo ditë në rrugë, në lagje, në një komisariat, në një situatë të vështirë, në mënyrën si i flisni një qytetari, si i përgjigjeni një të moshuari, si mbroni një fëmijë dhe si ndërhyni përballë një krimi”, tha Lamallari.

Duke folur për vizionin e Policisë së Shtetit në vitet e ardhshme, kreu i MPB-së theksoi se policia e gjeneratës së re duhet të jetë një forcë moderne, profesionale dhe njerëzore, e aftë jo vetëm të reagojë ndaj krimit, por edhe ta parandalojë atë.

“Policia e gjeneratës së re të Shqipërisë evropiane nuk mund të matet kurrsesi vetëm me forcën e saj përballë krimit, por pashmangshmërisht edhe me aftësinë për ta parandaluar atë, me profesionalizmin për ta goditur dhe me humanizmin për t’i shërbyer qytetarit pa asnjë kompromis”, u shpreh Lamallari.

Ministri e cilësoi Akademinë e Sigurisë pikën e parë të procesit të modernizimit të Policisë së Shtetit, duke theksuar rëndësinë e formimit profesional, dijes, disiplinës dhe përdorimit të teknologjisë.

“Policia e Shtetit është në një fazë modernizimi, proces i cili, përtej investimeve tona në teknologji e pajisje të domosdoshme, nis para së gjithash këtu në Akademinë e Sigurisë”, ishte mesazhi i ministrit.

Sipas Lamallarit, modernizimi duhet të shoqërohet me një ndryshim të mënyrës së të menduarit dhe të qasjes ndaj sigurisë publike.

“Mbi gjithçka është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit dhe gjithnjë e më shumë qaset si shërbim, jo thjesht si forcë bazuar te autoriteti që gëzon prej ligjit. Qytetarët nuk duhet t’ju shohin juve si një distancë mes tyre dhe shtetit. Përkundrazi, Policia është fytyra më e afërt e shtetit”, tha Lamallari.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, ministri tha se transformimi i Shqipërisë duhet të shoqërohet edhe me transformimin e Policisë së Shtetit dhe të standardeve të saj profesionale.

Lamallari u përcolli të rinjve një mesazh të drejtpërdrejtë për integritetin dhe përgjegjësinë që mbart uniforma e Policisë së Shtetit.

“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi. Do të ketë njerëz që do të përpiqen t’ju joshin, t’ju blejnë, t’ju frikësojnë apo t’ju vënë në provë. Qëndroni të fortë! Mos e bëni pis uniformën, mos e tradhtoni besimin e qytetarit dhe mos harroni kurrë se integriteti është arma juaj më e fuqishme. Mos harroni asnjëherë se pas çdo ndërhyrjeje është një qytetar, është një familje. Pas çdo vendimi është një jetë. Dhe pas çdo polici është besimi që njerëzit kanë te shteti. Jini të fortë përballë krimit, të drejtë përballë ligjit dhe njerëzorë përballë qytetarit! Shërbejini Shqipërisë me nder e qytetarëve me dinjitet e përkushtim! Ndërtoni me punën tuaj Policinë e një Shqipërie Evropiane!”, e mbylli fjalën ministri i Brendshëm.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në fjalën e tij drejtuar punonjësve të rinj, u kërkoi që “busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tre drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tre drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije ndoshta dhe në errësirë”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com