AktualitetKosovaTë fundit

Ngrihet aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit: Çfarë thuhet në të?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe se, në një rast tjetër, ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.

Sheholli akuzohet për dy vepra penale: “spiunazh” dhe “shantazh”.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Në aktakuzë thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA) nga një datë e pacaktuar deri më 9 tetor 2025 dhe i ka raportuar Bojan Dimiqit, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Sheholli akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe i ka përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna këtij agjenti të BIA-s informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitete politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se në telefonimin celular të sekuestruar nga Sheholli është gjetur një fotografi e një dokumenti që ka mbishkrimin “Top sekret 2”, të shkruar në gjuhën serbe.

Aty thuhet se shumica e fondeve të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investohen në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

“Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në dokument, sipas aktakuzës.

“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit [Kosovës] janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë që sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami”, thuhet në aktakuzë.

Ndërtimi i xhamive, sipas aktakuzës, është pjesë e planit operativ, që Perëndimi pas disa vjetësh të ndryshojë mendim për Kosovën dhe që Serbia të marrë sërish nën kontroll vendin. Sipas dokumentit, në vendet perëndimore janë deleguar njerëz të BIA-s nga bashkësitë islame të Kosovës dhe Sanxhakut, të cilët pretendohet se janë nën “urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë.

“Me këtë do te arrijmë që t’i ndajmë shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”, thuhet në dokumentin “Top sekret 2”, sipas aktakuzës.

Qëllimi i gjithë kësaj është që, sipas dokumentit, njerëzit në Kosovë të ndihen sikurse po jetojnë “në një shtet të huaj”, kështu që “një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”.

“Kur kjo të arrihet Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, thuhet në këtë dokument, sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale.

Interesimi i BIA-s për çështjen e grupeve islame në Kosovë është përmendur edhe në një rast tjetër për spiunazh. Në kërkesën për paraburgim të Fehim Sali – që u miratua – i akuzuar për spiunazh në të mirë të Serbisë, Prokuroria Speciale ka thënë se Sali ka mbledhur, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.

Në telefonin e Shehollit është gjetur edhe një dokument që e përmend kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili në kohë të luftës kishte qenë i burgosur politik dhe ishte mbajtur në burgjet serbe.

Kjo dëshmi, e titulluar Z#4.1, apo dokumenti i emërtuar “Leptiri”, sipas Prokurorisë, “rezulton se bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë [RDB] në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë”.

Sipas përmbajtjes së dokumentit, në aktakuzë thuhet se parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për “sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”.

Prokuroria tha se bazuar në komunikimet e nxjerra nga telefoni i Shehollit, rezulton se ai këtë dokument ua ka përcjell disa personave të ndryshëm, si dhe ka kërkuar që ai të përkthehet nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.

Vetë Sheholli, sipas aktakuzës, ka treguar për prokurorët për prejardhjen e këtij dokumenti, duke dëshmuar se atë ia ka dërguar, përmes telefonit Bojan Dimiq.

Ndërkaq, në aktakuzë Sheholli po ashtu akuzohet se ka zbatuar një plan operativ të përgatitur nga zyrtari i BIA-s “që synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më datë. 12.10.2025”.

Për ndërhyrje në zgjedhjet lokale, sipas aktakuzës, i akuzuari më 26 shtator kishte udhëtuar për në Mitrovicë të Veriut, dhe nga një person i panjohur kishte pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, “të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5.000 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre, i cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka”.

Zekës, sipas aktakuzës, ka pranuar një shumë prej 1.000 eurosh dhe është udhëzuar për kohën dhe mënyrën e publikimit të materialeve të tyre në emisionin “Pa Rrotlla” disa ditë para votimit në zgjedhjet lokale.

“Përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Pas ngritjes së aktakuzës, Zeka në një emision televiziv ka mohuar se e ka ditur paraprakisht që materialet që ka pranuar nga Sheholli ishin nga BIA, duke pretenduar se pasi e ka kuptuar nga Policia e Kosovës ka kthyer paratë te një i afërm i Shehollit dhe materialet i ka larguar nga media e tij.

Sa i përket akuzës për shantazh, Prokuroria Speciale pretendon se, nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025, ai kishte shantazhuar një person me inicialet A.J., duke e detyruar të vepronte në dëm të pasurisë së tij.

Vlera e dëmit, sipas aktakuzës, tejkalon 13 mijë euro.

Sheholli dyshohet se i kishte kërkuar para këtij personi në formë huazimi dhe e kishte kërcënuar se, nëse nuk ia jepte paratë, do të publikonte në media video dhe informacione që mund t’ia dëmtonin rëndë reputacionin dhe autoritetin.

Aktakuza tashmë i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për shqyrtim.

Sheholli mbetet në paraburgim

Sheholli vazhdon të mbahet në paraburgim.

Sheholli është arrestuar në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.

Në atë kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë hollësi se për kë dyshohej se kishte spiunuar.

Megjithatë, në ditën e arrestimit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka lënë të kuptohej se dyshimet lidheshin me Serbinë.

Sveçla ka deklaruar se Sheholli gëzonte “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës dhe se kishte “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai është deklaruar fajtor për spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen, gjithashtu, nën akuzat për spiunazh për Serbinë./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com