AktualitetPolitikëTë fundit

Nufi: FA vijojnë betejën me zjarret në Palasë, Krujë, Pukë dhe Dajt

Forcat e Armatosura vijojnë intensivisht angazhimin në terren për kontrollin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se operacionet po vijojnë si në terren, ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore.

“Në Malin e Çikës, mbi Palasë, vatra vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm, ndërsa sot operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor”, deklaroi Nufi.

Sipas tij, në Krastë të Krujës, krahas forcave zjarrfikëse të Krujës, Kamzës dhe Vorës të angazhuara në terren, ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me një helikopter.

Nufi informoi gjithashtu për situatën në Pukë, ku në zonën e Prozhemit operacioni po mbështetet nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Gojan–Gjegjan situata është përmirësuar ndjeshëm.

“Vatrat janë të izoluara ose të fikura dhe vijojnë të jenë nën mbikëqyrje”, u shpreh ministri.

Ndërkohë, në Dajt, operacioni po vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri. Sipas Nufit, “nuk ka rrezik për zonat e banuara”.

Ministri theksoi se Forcat e Armatosura do të vijojnë angazhimin në terren në mbështetje të strukturave të emergjencave dhe për mbrojtjen e banorëve dhe territorit nga zjarret.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com