AktualitetPolitikëTë fundit

Malltezi: Shqipëria, e fundit në Europë për trajtimin e ujërave të ndotura

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, gjatë një deklarate për mediet, ngriti sot shqetësimin për situatën e trajtimit të ujërave të ndotura në Shqipëri.

Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, Malltezi tha se vetëm 12.6% e popullsisë në Shqipëri është e lidhur me impiante që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura, ndërsa 88% e ujërave të përdorura derdhen pa trajtimin e nevojshëm.

“Eurostat tregon përkeqësim të fortë në vitet e fundit. Nga 33.6% në vitin 2018, trajtimi i ujërave ra në 30.9% në vitin 2020 dhe më pas zbriti në 12.6 % në vitin 2024”, tha ai.

Ai tha se Shqipëria është vendi i fundit në Evropë dhe në Ballkan për këtë tregues. Sipas tij, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, Shqipëria ka një nivel gjashtë herë më të ulët të trajtimit të ujërave të ndotura.

“88% e ujërave të përdorura që shkarkohen pa trajtimin e nevojshëm, mbushin lumenjtë, liqenet dhe detin dhe shkaktojnë sëmundje infektive për njerëzit”, tha Malltezi.

Malltezi ngriti pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik. “Pse paguajmë mijëra paga për punonjës dhe institucione qe nuk garantojnë asnjë shërbim?”, tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com