Nga 28 vatra zjarresh në 24 orët e fundit 5 ende aktive, 4 familje të evakuuara në Mallakastër
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bëri të ditur sot, se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat pesë mbeten aktive.
Sipas MIA-s, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 631 forca operacionale zjarrfikëse, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.
Në deklaratën e MIA-s, thuhet se në Mallakastër janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat e tjera aktive.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim.
Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
MIA informon se “për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin e operacioneve dhe monitorimin e situatës në të gjithë vendin.
Fraksion.com

